Driton ZENKU
Gostivar, 5 maj – Ndryshimet e shpeshta klimatike, të cilat e karakterizojnë motin ditëve të fundit në rajonin tonë, paraqesin periudhën më kritike për të mbjellat bujqësore të cilat ekspozohen para viruseve dhe infeksionet me insekte apo sëmundje të tjera të bimëve, shkruan gazeta KOHA. Të gjitha këto, sipas ekspertëve vijnë në shprehje nëse nuk trajtohen në mënyrë adekuate, dhe si rezultat pasojat mund të reflektohen tek prodhimet bujqësore. Sever Fazlija, i diplomuar në fakultetin e bujqësisë, thotë se ajo që është shumë e rëndësishme të bëhet në këtë kohë, është që situate të ndiqet me kujdes nga ana e bujqve të cilët duhet të reagojnë në kohë kundrejt çdo paraqitjeje në këtë periudhë kritike të të mbjellave pranverore.
“Çdo lloj neglizhence, rrezikon të përhapë infeksionin në tërë hapësirën e mbjellë. Si një zgjidhje për tu shmangur nga viruset e ndryshme, preferohet spërkatja në kohë me preparate adekuate , por duke marrë para sysh se edhe me këtë metodë nuk duhet tepruar sepse më pas mund të shfaqen pasoja tek të vjellat”, thotë për KOHA, Fazlija, i cili sqaron se me të vërejtur simptomat e para, bujqit duhet të dërgojnë shembuj për analiza në laboratorë përkatëse bujqësore me qëllim që të vendoset se me çfarë metode mbrojtëse do të vijohet.
“Në këtë formë jo vetëm që lokalizohet infeksioni, por edhe mundësohen zhvillim normal për tërë të mbjellat. Por, me që në rajonin e Pollogut nuk ekziston një laborator i tillë, atëherë bujqit duhet të konsultohen me njerëz të profilizuar në lëmin e bujqësisë të cilët posedojnë njohuri se në çfarë kohë me çfarë duhet intervenuar”, sqaron Fazlija.
Ai potencon se gjithnjë duhet pasur para sysh reagimin në kohë, sepse nëse nuk arrihet të zhduket problemi me anë të pesticideve përkatëse, zgjidhje e vetme mbetet intervenimi me pesticide të forta të cilat ndryshe quhen edhe si shok terapi për bimën. Kjo është forma që vendos nëse bima do të ekzistojë apo do të zhduket. Sipas tij, pesticidet ndihmojnë prodhuesit bujqësorë për të përmirësuar sasinë, cilësinë dhe shumëllojshmërinë e furnizimit tonë me ushqim. Ato janë të dizajnuara për të ndaluar ose kufizuar shfaqjen e agjentëve të dëmshëm biologjikë. Ato luftojnë insektet, barërat e këqija dhe viruset e ndryshme. Qëllimi i përdorimit të pesticideve është aplikimi i tyre në sasi të caktuara, duke synuar kontrollin e ADB-ve që paraqiten në kulturat bujqësore me qëllim që të bëhet i lehtë degradimi i këtyre komponimeve në tokë, ajër apo ujë pa e ndotur ambientin. Me këtë rast, gjithnjë duhet pasur para sysh që të mos teprohet me aplikimin e të njëjtave dhe gjithnjë bujqit të konsultohen me njerëz profesionist. Nga njësia rajone e Ministrisë së Bujqësisë në Gostivar, informojnë se në Gostivar e rrethinë, me kultura bujqësore gjatë pranverës u mbollën mbi 6 mijë hektarë tokë. Vlerësohet të jenë mbjellë 430 hektarë patate, 600 hektarë domate si dhe 300 hektarë speca.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara