Shkup, 6 korrik – Ndryshimet klimatike janë përshpejtuar dhe çojnë drejtë ekstremeve të motit si vërshime, thatësira të mëdha, reshje intensive dhe stuhi, të cilat do të bëhen të zakonshme, tregojnë të dhënat më të reja të publikuara nga Organizata Botërore Meteorologjike.
Dukuritë e këtilla pritet të kenë pasoja më të mëdha socioekonomike dhe zhvillimore në të gjithë planetin.
Profesori universitar, Vllado Spiridonov, i cili për momentin ligjëron në Departamentin për Meteorologji dhe Gjeofizikë në Fakultetin për Shkenca Tokësore, Gjeografi dhe Astronomi në Vjenë, në intervistë për MIA-n thekson se sipas raportit të fundit të Panelit ndërqeveritar për ndryshime klimatike pritet që rritja e temperaturës mesatare globale e ajrit të vazhdojë si rezultat i rritjes së emisioneve antropogjene të gazrave të qelqta.
Edhe në Maqedoni temperatura mesatare vjetore e ajrit në 20 vitet e fundit ishte vazhdimisht në rritje, përderisa në raport me regjimin e reshjeve ekziston trend i përgjithshëm i rënies të sasive të reshjeve.
“Sipas rezultateve të marra nga shfrytëzimi i disa modeleve klimatike me skenarë të ndryshëm të ndjeshmërisë klimatike, janë marrë projeksione për ndryshimet e klimës në Maqedoni. Rezultatet parashohin mundësi për rritjen e mëtutjeshme të temperaturës në periudhën prej vitit 2025 deri në vitin 2100, me deficit më të madh gjatë periudhës së verës”, thekson prof.dr.Spiridonov.
Në intervistën për MIA-n e cila do të publikohet gjatë fundjavës, Spiridonov flet edhe për atë se a është e mundur të përsëritet moti i keq i vitit 2016 në Stajkovc të Shkupit, si ndryshimet klimatike ndikojnë në shëndetin e njerëzve, si dhe për shpikjen e shpërndarjes së mjegullës nga viti 1999 për çka së bashku me dy kolegë morën një varg çmimesh.
Për atë se sa është interesi i të rinjve për studimin e meteorologjisë, Spirodonov thotë se interesi nuk është i mjaftueshëm.
“Kjo është në aspekt të motivimit më të vogël te të rinjtë të cilët do të përcaktoheshin që të studiojnë meteorologji dhe mundësia më e vogël që të gjejnë punë pas përfundimit të studimeve. Edhe pse jemi të vetëdijshëm për rëndësinë gjithnjë e më të madhe të meteorologjisë (fizika e atmosferës) si disiplinë shkencore dhe zbatimi interdisiplinar i saj në shoqëri, megjithatë, nevojitet strategji më e mirë për zhvillim dhe zbatim i së njëjtës kur do të ishte në hap me trendet evropiane”, vlerëson Spiridonov në intervistën për MIA-n.