Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev sot u takua me ambasadorin e Izraelit në Republikën e Maqedonisë Dan Orjan, me të cilin janë përqendruar në bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve dhe perspektivat për përparimin e marrëdhënieve ekonomike. Siç kumtoi shërbimi qeveritar për media, ambasadori izraelit Orjan, kryeministrit Zaev i dorëzoi urim në emër të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, për zgjedhjen e tij kryetar i Qeverisë të Republikës së Maqedonisë. Në takim, shtohet, është shprehur mbështetje për ndryshimet në Maqedoni në të cilat shihen mundësi për stabilitet të shtetit dhe perspektiva ekonomike.
Ambasadori i Izraelit Orjan, theksohet, paralajmëroi interes të kompanive izraelite për investim në Maqedoni, të cilët kanë pritur stabilizim politik në Republikën e Maqedonisë. Bujqësia, energjetika janë disa nga sferat për të cilat ka investues potencial. “Do ta vazhdojmë dhe do ta përforcojmë bashkëpunimin e mirë me Izraelin, në të gjitha sferat, që mund të kontribuojë për jetë cilësore të qytetarëve të Maqedonisë. Qeveria e re është fuqishëm e orientuar ndaj zhvillimit ekonomik të shtetit, ndërsa investimet janë të rëndësishme për hapjen e vendeve të reja të punës. Për këtë qëllim, Qeveria me përkushtim punon në sigurimin e kushteve për punë të kompanive me ç’ka hapen mundësi dhe ekzistencë dinjitoze për punëtorët dhe qytetarët e Maqedonisë”, tha Zaev. Në takim është përshëndetur bashkëpunimi i mirë mes dy shteteve. Ambasadori i Izraelit u falënderua për kujdesin e shtetit për bashkësinë hebraike në Republikën e Maqedonisë. Është dakorduar thellim i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe përmes takimeve dhe vizitave të nivelit të lartë qeveritar dhe shtetëror, qëndron në kumtesën e shërbimit qeveritar për media.