Ndryshimet e shpeshta të ligjeve çojnë në improvizim, apo shpesh miratohet një zgjidhje ligjore që vështirë mund të zbatohet në praktikë, dhe për të cilën shpesh nuk ekziston një kornizë e përgatitur paraprakisht sistemore. Këto ndryshime po bëhen pengesë për udhëheqjen e biznesit për shkak se shkaktojnë pasiguri në punën e kompanive
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 janar – Ndryshimet e shpeshta dhe të shpejta ligjore në dekadat e kaluara po ngufasin punën e bizneseve në vend. Ndryshimi më shumë se 20 herë i Ligjit për ndërtim apo Ligjit për marrëdhënie pune , ngrirja për tre vjet e pagesës së tatimit në fitim nga 18 në 10 për qind për ata që fitojnë më shumë se 90 mijë denarë në muaj, e kështu me radhë paraqesin vetëm një pjesë të vogël të ligjeve që e kanë vështirë ti ndjekin edhe bizneset me ekipe të mëdha të juristëve , e aq më pak kompanitë e vogla me pak të punësuar.
Në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi Propozim-ligjin për ndërprerjen e vlefshmërisë së Ligjit për tregti në tregjet e gjelbra. Nevoja për sjelljen e këtij ligj me të cilin pushon së zbatuari Ligji për tregti në tregje të gjelbërta, është shkaktuar nga mosplotësimi i pritjeve të përcaktuara në dispozitat e Ligjit për tregti në tregje të gjelbra që kanë shkaktuar pasoja sociale, tatimore dhe fiskale për tregtarët në tregjet e gjelbërta. Si rezultat i reagimeve të qytetarëve që në tregje bëjnë tregti me pakicë, Qeveria miratoi një ligj të ri për të pushuar së zbatuari Ligji për tregjet e gjelbra
Nga ana tjetër, me qëllim të uljes së ekonomisë informale në vend, nga një qershori i vitit 2019 deri më 31 dhjetor të vitit 2019, qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut mund të blinin mallra me para të gatshme në dorë vetëm deri në vlerën mbi 500 euro apo 30.000 denarë. Paraprakisht , prej fillimit të muajit korrik të vitit 2018, pragu i pagesave kesh u zvogëlua prej 15 mijë në dy mijë euro. Mirëpo , pas ankesave të mëdha të biznesit dhe qytetasve, në fund të muajit dhjetor 2019 , u rrit pragu i pagesës me kesh nga 500 në 3000 euro. Edhe para hyrjes në fuqi të kësaj dispozite ligjore, ekonomistët dhe odat ekonomike në shtet kanë reaguar se një ligj është tejet shtrëngues , ndërsa një masë e tillë jo vetëm që do vështirësojë punën e tregtarëve, por edhe nuk do të ulë ekonominë informale.
Sipas kryetarit të Odës së Kontabilistëve pranë Lidhjes së Odave Ekonomike, Dragan Mitkovski ndryshimet e shpejta në rregullativën e tatimeve po e rrisin rrezikun e punës së tyre, si dhe janë pengesë për udhëheqjen e biznesit për shkak se shkaktojnë pasiguri në punën e kompanive.
“Ligjet nga fusha e tatimeve po ndryshohen shumë shpesh dhe atë më së shpeshti me procedurë të shpejtuar dhe pa konsultime me biznesin. Si shembull mund të theksohet Ligji për tatimin në të ardhura që u miratua përkundër paralajmërimit tonë për efektet e tij të dëmshme, i cili pas një viti u anulua”, shton më tej Mitkovski.
Sipas Mitkovskit, ndryshimet e shpeshta të ligjeve çojnë në improvizim, apo shpesh miratohet një zgjidhje ligjore që vështirë mund të zbatohet në praktikë, dhe për të cilën shpesh nuk ekziston një kornizë e përgatitur paraprakisht sistemore. Problem tjetër sipas tij është se shpesh ligjet e reja në praktikë janë të vështirë të zbatueshëm, për shkak se bie ndesh me rregullativën ekzistuese , që nënkupton se ato miratohen pa analizë përkatëse paraprake.
Nga Lidhja e Odave Ekonomike thonë se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë vendore ju mungojnë ekipe këshilltarësh që do ti informojmë dhe do t’ju ndihmojnë në zbatimin e ligjeve të reja. Nga atje shtojnë se ligjet jo vetëm që ndryshohen shpesh, por ato ndodh që nuk janë të sakta dhe lënë mundësi të interpretimit ndryshe dhe bartjes së përgjegjësisë. Në ndërkohë edhe analizat e ndryshme tregojnë se ndryshimet e shpeshta të rregullativës krijon ndjesi të josigurisë juridike tek qytetarët. Analizat e para disa viteve të Shoqatës së juristëve të rinj të Maqedonisë tregojnë se në vitet e fundit në vend po vërehet një aktivitet më intensiv ligjvënës që nënkupton edhe miratimin e ligjeve tërësisht të reja, ndryshimin e pjesërishëm të tyre, apo plotësimin e ligjeve ekzistuese.
“Ndryshimet e shpeshta të ligjeve të caktuara të rëndësishme shkakton problem për funksionimin e sistemit juridik, për shkak se në interval relativisht të shkurtra janë në fuqi norma të ndryshme që rregullojnë çështje të caktuara juridike. Ndryshimet e tilla të shpeshta të rregullativës jo vetëm që vështirë ndiqet nga ana e organeve shtetërore që duhet ti zbatojnë, por edhe krijojnë pasiguri juridike tek qytetarët për shkak se të drejtat dhe obligimet e tyre janë objekt i ndryshimeve të vazhdueshme “, thuhet në analizën e Shoqatës së juristëve të rinj të Maqedonisë.
Nga atje shtojnë se aktiviteti i përforcuar ligjvënës arsyetohet me nevojën e harmonizimit të legjislacionit vendor me atë evropian, zbatimin e strategjive për reforma në fusha të caktuara, apo me zbatimin e programeve të caktuara qeveritare. (koha.mk)