Ndryshimet e Ligjit për media në rend dite të seancës qeveritare

Shkup, 20 shkurt  – Propozim-ndryshimet e Ligjit për media audio dhe audiovizuale mediale janë në rend dite të seancës së sotme të 55-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Ministrat do t’i shqyrtojnë edhe propozim-ndryshimet e Ligjit për themelim të ndërmarrjes publike Radiodifuzioni i Maqedonisë.

Në seancën e sotme qeveritare do të shqyrtohet edhe informata për realizim të Strategjisë kombëtare për bujqësi dhe zhvillim rural për periudhën 2014-2020,  planin financiar të Regjistrit Qendror për sivjet, Programi investues  vjetor i SHA MEPSO, si dhe programi për investime për periudhën 2019-2022 të kompanisë të njëjtë në pronësi shtetërore.

Në rend dite është edhe informata për aktivitetet e realizuara për promovim të konceptit të përgjegjësisë shoqërore të ndërmarrjeve përmes ndarjes së shpërblimeve për praktika më të mira përgjegjëse shoqërore në vitin 2017.

Ministria e Punëve të Brendshme do ta prezantojë informatën për zbatim të masave për kufizim dhe ndalesë të komunikacionit në kushte të tejkalimit të pragut të alarmimit dhe përforcim të kontrollit të gazrave nga automjetet gjatë regjistrimit të tyre në stacionet teknike.