Urim HASIPI
Tetovë, 30 mars – Edhe pse zyrtarisht pranvera ka filluar më 21 mars, këtë vit erdhi me ndryshime të mëdha klimatike. Përderisa qytetarët kaluan një dimër jo relativisht të ftohtë, megjithatë marsi u karakterizua me borë, reshje të shiut dhe ndryshme të shpeshta të klimës, shkruan gazeta KOHA.
Kjo ka bërë që kohëve të fundit, sërish të stërmbushen me pacientë ambulancat private dhe ato të mjekësisë së përgjithëshme. Me shumë vështirësi këta ndryshime klimatike i përballojnë pacientët me sëmundje kronike, fëmijët dhe të moshuarit.
“Zakonisht, në këtë periudhë më shumë këto ndryshime ndikojnë tek pacientët e moshuar, ata që kanë problem kardiovaskulare dhe të sëmurit kronik. Të njëjtit nuk mund të përballojnë këta ndryshime të temperaturave që ndodhin brenda ditës, prandaj edhe kemi pasur numër të shtuar të pacientëve”, tha mjeku Bekim Ismaili. Sipas tij, kjo ka ndikuar edhe tek fëmijët, të cilët qëndrojnë pranë shokëve të tyre që kanë patur grip. “Kjo ndodh edhe tek fëmijët që shkojnë në çerdhe apo shkolla, ku ka më shumë fëmijë në një ambient të mbyllur dhe kjo më pas përcillet. Prandaj, në këto raste duhet të kenë më shumë kujdes”, theksoi Ismaili.
Krahas simptomave të gripit, po ashtu pacientët në këtë periudhë përballen edhe me lodhje, mungesë të koncentrimit, pagjumësi…, të cilët janë pasojë e ndryshimit rapid të klimës dhe temperaturave gjatë ditës, nënvizojnë mjekët.
“Këtu nuk përjashtohet edhe kategoria e moshës nga 18 vjet deri në 40 apo 45 vjet, të gjitha kategoritë, grupmoshat janë të kapluara, por si ashtu si target grupa e popullsisë janë ato pacientë të cilët kanë sëmundje kronike, pacientët me sëmundje reumatike të ndryshme, pacientë të cilët kanë probleme me tensionin e gjakut gjegjësisht ata me hipertension, sëmundje të sistemit respirator të mushkërive, siç është astma, mandej kemi të bëjmë me pacient të cilët kanë pasur ndonjë ndërhyrje kirurgjikale, të cilët po ashtu kanë dhimbje”, pohojnë mjekët në Ndihmën e Shpejtë të Tetovës. Pacientët zakonisht janë ankuar për dhimbje koke, kollitje, temperaturë dhe problem me tensionin e gjakut.
“Por ka edhe pacient të cilët kanë sëmundje bakteriale, kemi të bëjmë edhe me pacientë të cilët kanë pësuar, gjegjësisht janë sëmurë, ftohur nga mos kujdesi i ndryshimeve klimatike, për shembull ata të cilët nuk janë kujdesur sa duhet sa i përket veshjes edhe tek ata paraqiten dhimbje të ndryshme të muskujve, apo dhimbje eshtrash nëse janë të sëmurë kronik”, apelojnë mjekët. Mjeku Bekim Ismaili thotë se në këtë periudhë që vjen, pritet që të kenë probleme edhe personat me alergji. Gjithnjë, sipas tij, edhe ky numër është në rritje e sipër.
“Me ardhjen e pranverës kur ka edhe më shumë gjelbërim, ka më shumë lule që çelin dhe normalisht ka shumë qytetarë që e kanë problem këtë stinë, sidomos ata me alergji. Prandaj edhe rekomandohet që në këtë kohë ata të jenë më të kujdesshëm dhe të marrin terapinë e nevojshme që të mos kenë përkeqësim të shëndetit”, sqaroi ai.
Ditëve në vijim pritet të përmirësohet koha dhe përfundimisht qytetarët të shkëputën nga sezoni i dimrit, i cili edhe këtë vit shënoi numër rekord të të sëmurëve me virusin e gripit. Nga ky repart theksojnë se qytetarët duhet që të kenë kujdes në këtë periudhë që vjen. (koha.mk)