Urim HASIPI
Tetovë, 12 maj – Ndryshimi i emrave të rrugëve, urave, shkollave, çerdheve, shesheve në Tetovë nuk arriti të realizohet edhe në këtë përbërje të Këshillit të komunës. Ndonëse përgjatë katër viteve të kaluara kishte shumë premtime, shumë zotime në këtë drejtim, megjithatë shumica nuk arriti madje që as në rend dite të vendos këtë pikë, shkruan gazeta KOHA.
Hisen Xhemaili, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës, tha se kjo çështje ka qenë peng e mosmarrëveshjeve me partinë që janë në koalicion në Komunën e Tetovës. Sipas tij, nuk ka pasur as konsensus mes grupeve etnike që përfaqësohen në Këshillin e Komunës së Tetovës. “Është fakt se kjo çështje nuk arriti të jetë pjesë e diskutimit në këtë përbërje të Këshillit. Kjo, për arsye se nuk kishim disponim dhe gatishmëri edhe nga ana e këshilltarëve maqedonas, sepse kjo pikë duhet të miratohet me parimin e Badinterit, që do të thotë të votohet nga shumica e këshilltarëve maqedonas. Nuk arritëm që të kemi mirëkuptim gjatë kësaj përbërje lidhur me ndryshimin e emrave në territorin e Komunës së Tetovës”, deklaroi për KOHA, Hisen Xhemaili, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Krahas kësaj, po ashtu nga Këshilli i Komunës së Tetovës, janë arsyetuar se gjatë këtij mandati ka pasur shumë probleme të mëdha, të cilët kanë dalë nga situata të papritura dhe të jashtëzakonshme si nga aspekti politik, po ashtu edhe nga fatkeqësitë elementare, sidomos vërshimet që ndodhën dy vite resht në territorin e Komunës së Tetovës, defokusuan këtë pikë nga rendi i ditës.
Përndryshe, edhe pse BDI dhe VMRO-kishin një marrëveshje për të formuar shumicën në Këshillin e Komunës së Tetovës, megjithatë shumë pika që kanë qenë për miratim para këshilltarëve nuk janë përkrahur pikërisht nga 5 këshilltarët e VMRO-së, të cilët luftën në Këshillin e Komunës së Tetovës e kanë zhvilluar kundër kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ndërsa diku rreth 10 seanca nuk kanë marrë pjesë, duke bojkotuar punën e këshillit. Mirëpo, kjo nuk i ka penguar Këshillit të Komunës së Tetovës, që të ketë përkrahjen e këshilltarëve të opozitës shqiptare, Partisë Demokratike Shqiptare dhe ka kaluar shumë pika pikërisht falë këtij koordinimi. Edhe ky problem shumë vjeçar në Komunën e Tetovës do të pret një përbërje të re të Këshillit të Komunës së Tetovës, që do të mund të lëviz përpara këto probleme, pasi që, siç dihet, shumë shkolla, shumë rrugë, shumë institucione mbajnë emra nga koha e komunizmit dhe që nuk kanë asgjë të përbashkët as me realitetin etnik në qytetin e Tetovës. Ndryshimet e para të emrave të rrugëve, urave, shkollave, çerdheve, shesheve në Tetovë u miratuan në kohën kur në krye të Komunës së Tetovës ishte Hazbi Lika, por shumë institucione nuk respektojnë këtë vendim të Këshillit të Komunës së Tetovës, të miratuar dhjetë vite më parë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara