Ish-anëtari i KSHZ-së, Subhi Jakupi thotë se norma ligjore e Kodit zgjedhor që është veç në fuqi dhe që rregullon procedurën e votimit të quajtur “Fingerprint”, është risi në legjislaturën tonë zgjedhore. Sipas tij, shumë vende me demokraci në zhvillim përdorin këto pajisje për besueshmëri të procesit zgjedhor dhe parandalim të votimit familjar dhe parregullsi tjera të procesit zgjedhor
Xhenur ISENI
Shkup, 20 shkurt – Dy partitë maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE sot nisin me bisedimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që përfshijnë ndryshimin e mënyrës dhe metodologjisë së votimit në të gjitha ciklet zgjedhore. Ende nuk duhet nëse deri në zgjedhjet lokale do të sigurohet sistemi i votimit me gisht, përkatësisht me “Fingerprint”. Në Parlament tashmë ka pasur debate dhe propozime për Një njësi zgjedhore dhe lista të hapura, ndërsa më të zëshme për një njësi zgjedhore janë partitë politike më të vogla. Grupet e punës do të jenë të përfaqësuara nga ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq dhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, të cilët do të kenë online takim.
Kryeministri Zoran Zaev ndërkohë ditë më parë apeloi deri te Komisioni Shtetërorë Zgjedhorë që sa më shpejtë të pajiset me aparatet për shenjat e gishtave (fringerprint) të cilat do të shfrytëzoheshin për zgjedhje për arsye se kjo është e paraparë edhe në ligj, ndërsa janë siguruar edhe paratë e nevojshme për të njëjtat. “Do të bëjë gjithçka që të blejmë dhe kjo varet nga ne. Ministri i financave reagoi konkretisht, ka para në buxhet, nëse mungojnë do kemi rebalanc, sigurisht që kjo të bëhet, lëshuam letër nga ana e financave që të mund kryetari i KSHZ dhe e gjithë KSHZ menjëherë të fillojnë procesin e blerjes së pajisjeve për fingerprint, përkatësisht gjurmë gishti. Besoj se ka teknologji bashkëkohore evropiane dhe kjo mund të bëhet shpejtë, kemi procedura të qarta në shtet, deri te zgjedhjet kemi rreth 8 muaj për të cilat mund të arrijmë. Apeloj që KSHZ shpejtë të fillojë procedurën e tillë”, theksoi Zoran Zaev.
Por nga KSHZ për gazetën KOHA thonë se pretendimet e kryeministrit janë vetëm deklarative, sepse për momentin – KSHZ nuk ka mjetet e nevojshme për t’u pajisur me aparaturën në fjalë. “Në lidhje me situatën e krijuar, KSHZ është në komunikim intensiv me të gjithë institucionet relavante si MPB, MD, MF me bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që procesi i kërkuar ligjor të përmbyllet në mënyrë te suksesshme. Për momentin që flasim KSHZ nuk ka mjete financiare për tu pajisur me aparaturën e nevojshme për identifikim dhe rrjedhimisht as që mund të nisë procedurën për blerjen e tyre. Ka zotim deklarative nga institucionet që mbetet për tu parë ditëve në vazhdim. Gjithashtu mbeten edhe disa dispozita ligjore për tu ndryshuar në mënyrë që procesi në fjalë të jetë i kompletuar dhe i zbatueshëm”, kanë theksuar nga KSHZ për gazetën KOHA.
Nga ana tjetër, shefi i opozitës, Hristijan Mickoski thotë se nuk është e mjaftueshme ajo që kryeministri ka bërë thirrje për blerjen e pajisjeve, por duhet angazhim i plotë për të siguruar të gjithë mjetet e nevojshme. “Ja po themi se ministri i financave i ka mjetet dhe se ato mjete do t’i ketë në dispozicion KSHZ-ja, atëherë le t’i thërrasim të gjitha organet shtetërore që janë në mënyrë direkte apo indirekte pjesë e kësaj procedure dhe t’i ndihmojnë KSH-së, siç është MPB-ja. Nuk shoh se pse ne tani 7 muaj para fillimit të fushatës ta mos e mbyllim këtë proces2, u shpreh Hristijan Mickoski. Ish-anëtari i KSHZ-së, Subhi Jakupi thotë se norma ligjore e Kodit zgjedhor që është veç në fuqi dhe që rregullon procedurën e votimit të quajtur “Fingerprint” është risi në legjislaturën tonë zgjedhore. Sipas tij, shumë vende me demokraci në zhvillim përdorin këto pajisje për besueshmëri të procesit zgjedhor dhe parandalim të votimit familjar dhe parregullsi tjera të procesit zgjedhor.
“Kjo shton besueshmërinë në procesin zgjedhor, por nuk parandalon edhe parregullsitë zgjedhore që janë prezent në vendin tonë dhe regjion (presionet e ndryshme ndaj administratës, blerje e votës dhe parregullsi tjera që ndodhin jashtë objekteve te votimit). Implementimi i këtij procesi kërkon bashkëpunim te mirëfilltë teknologjik, kapaciteteve administrative dhe ndërinstitucional të KSHZ, Ministrisë së punëve të brendshme dhe Entit Statistikor në mirvajtje të procesit. Nga përvojat tona që kemi vëzhguar zgjedhjet në shumë vende më së miri e ka të rregulluar Korea Jugore këtë pjesë të procesit zgjedhor duke marrë parasysh çështjen e avancuar të teknologjisë për zbatim të këtij procesi. Mendoj se Institucionet kompetente në këtë fazë duhet të këmbejnë mendimet dhe kapacitetet për implementim te normës ligjore të potencuar sa janë në gatishmëri për implementim të të njëjtës në zgjedhjet paraprake lokale”, ka deklaruar për KOHA, Subhi Jakupi, ish anëtar i KSHZ-së.
Nga KSHZ, mes tjerash thonë se gjatë ditëve në vijim, kryetari Dashtevski do të zhvillojë takime në Ministrinë e Punëve të Brendshme ku do të bisedojë për përcaktimin e mënyrës së funksionimit të të ashtuquajturës “Fingerprint”, përkatësisht për konektim me bazën e MPB-së. Përndryshe, nëse deri në zgjedhjet lokale nuk blihen terminalët për gjurmën e gishtit dhe nëse zgjedhjet nuk mbahen sipas këtij parimi, VMRO-DPMNE-ja seriozisht mendon që t’i bojkotojë zgjedhjet përkatësisht të mos marrë pjesë në to. Vendimin e këtillë e arsyetojnë duke thënë se pushteti përgatit falsifikim, përkatësisht se nuk duan t’u vidhen votat siç ndodhi në zgjedhjet e fundit parlamentare. (koha.mk)