Evis HALILI
Shkup, 27 shtator – Çmimi shtetëror “11 Tetori” do të jetë edhe i vetmi që do të ndahet këtë muaj nga Ministria e Kulturës. Shkak për këtë vit është skadimi i mandatit të anëtarëve të disa Këshillave për dhënien e çmimeve, mes tyre edhe ai për “23 Tetorin”, shkruan gazeta KOHA. Konkursi u shpall me vonesë, jashtë afateve ligjore, dhe si i tillë mundësia e konkurrimit për këtë vit ishte një opsion i djegur, duke bërë që 2017 të jetë viti i parë kur nuk do të ndahet asnjë çmim. Por mesa duket, viti 2016 mund të jetë edhe i fundit për këtë çmim. Ende nuk ka asnjë koment zyrtar nga Ministria e Kulturës lidhur me këtë çmim, por nuk përjashtohet as mundësia e heqjes së tij, si pjesë e reformave që priten të pasojnë miratimin e Strategjisë së Kulturës. Vitin e kaluar si fitues të “23 Tetorit” ishin pesë personalitete, mes tyre edhe artistit të artit figurativ Rexhai Iseni dhe albanologu Agim Poloska. Ai është një prej çmimeve më të reja që akordohet prej dhjetë vitesh, në nder të Ditës së Luftës revolucionare maqedonase dhe mbajtësit të saj i jep mirënjohje më të lartë për arritje në sferën e shkencës, kulturës, arsimit, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe promovimit të prioriteteve shtetërore, vlerave dhe trashëgimisë kulturore-historike. Por më shumë sesa me këtë ditë, ky çmim që ndryshe quhet edhe çmimi i VMRO-DPMNE, pasi përkon me ditën e themelimit të kësaj organizate, është cilësuar si kontrovers për formën e qasjes që është bërë gjatë këtyre dhjetë viteve ndaj tij.
“Çdo ndryshim që do të ketë në të ardhmen dhe që është në debat e sipër nuk është thjesht një ndërhyrje për të hequr apo ndryshuar diçka, por është pjesë e Strategjisë së kulturës, dokumentit që ne si institucion e kemi bërë pjesë të debatit publik. Ne presim propozime, sugjerime për reformat që do të ndërmerren për zhvillimin e kulturës, zhveshjen e saj nga klientelizmi, etnocentrizmi.., e të tjera. Synimi ynë është kulturë tek të gjithë dhe për të gjithë”, thotë këshilltari në Ministrinë e Kulturës Petrit Saraçini.
Të martën janë publikuar emrat e fituesve të këtij çmimi për vitin 2017, Vllatko Stefanovskit – me motivacionin për kontributin e dhënë në sferën e artit dhe kulturës, si edhe si historianit Ahmet Sherif – me motivacionin për kontributin e dhënë në sferën e shkencës dhe arsimit. Sipas njoftimit nga kabineti i ministrit ceremonia e dorëzimit të çmimeve do të bëhet në Parlament më 11 tetor. Ky çmim, i akorduar për herë të parë në vitin 1959 përkon me Ditën e kryengritjes së popullit maqedonas dhe ndan mirënjohjen më të lartë për veprën jetësore në fushën e shkencës, artit, ekonomisë, si dhe në veprimtari të tjera me interes publik. Brenda një viti mund të ndahen deri në pesë çmime që kanë një vlerë prej 15 pagash mujore mesatare. Lista e çmimeve shtetërore ka pësuar ndryshime pesë vjet më parë, me plotësimet e bëra në Ligjin për çmimet shtetërore, që prapëseprapë nuk arritën të ndryshonin profilin monoetnik të saj. Sipas benefiteve që shoqërojnë këto çmime më i rëndësishëm mbetet “11 Tetori”, pas tij vijnë “23 Tetori” dhe “Shën Klimenti i Ohrit” (dhjetë paga mujore). Ndërsa çmimet e tjera, mes tyre edhe “Nënë Tereza”, “Goce Dellçev” (që e jep Ministria e Arsimit) dhe “Mito Haxhi Vasiliev Jasmin”, qëndrojnë më poshtë të kategorizuara. (koha.mk)
FESTAT SHTETËRORE
“11 TETORI” (MINISTRIA E KULTURËS) Dita e kryengritjes së popullit maqedonas. Jep mirënjohjen më të lartë për veprën jetësore në fushën e shkencës, artit, ekonomisë, si dhe në veprimtari të tjera me interes publik. Brenda një viti mund të ndahen deri në pesë çmime. Vlera: 15 paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 1959.
“SHËN KLIMENTI I OHRIT” (MINISTRIA E KULTURËS) Dita e Shën Klimentit, 8 dhjetor. Jep mirënjohjen më të lartë për arritje shumëvjeçare në fushën e edukimit, arsimit, kulturës, artit, shëndetit, sportit, mbrojtjes dhe avancimit të mjedisit human dhe në veprimtarinë sociale. Brenda një viti jepen deri në pesë çmime. Vlera: 10 paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 1969.
23 TETORI (MINISTRIA E KULTURËS) Dita e Luftës revolucionare maqedonase (i shtuar në vitin 2007). Jep mirënjohje më të lartë për arritje në sferën e shkencës, kulturës, arsimit, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe promovimit të prioriteteve shtetërore, vlerave dhe trashëgimisë kulturore-historike të Maqedonisë. Brenda një viti jepen më së shumti pesë çmime. Vlera: 10 paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 2007.
“GOCE DELLÇEV” (MINISTRIA E ARSIMIT) Dita e vdekjes së Goce Dellçev, 4 maj. Jep mirënjohje për arritje në sferën e shkencës. Brenda një viti jepen më së shumti deri në tre çmime. Vlera: pesë paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 1969.
“MITO HAXHI VASILIEV JASMIN” (MINISTRIA E KULTURËS) Dita e lindjes së Mito Haxhi Vasilievit, 21 dhjetor. Jep mirënjohje për arritje në sferën e publicistikës dhe gazetarisë. Brenda një viti mund të akordohen deri në dy çmime. Vlera: pesë paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 1969.
“NËNË TEREZA”(MINISTRIA E KULTURËS) Dita e lindjes së Nënë Terezës, 26 gusht. Jep mirënjohje për arritje në fushën e humanitetit, solidaritetit njerëzor dhe për nxitjen dhe avancimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes popujve, si edhe mes përfaqësuesve të bashkësive, kulturave dhe religjioneve të ndryshme. Brenda një viti jepet deri në dy herë. Vlera: pesë paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 2006.
8 SHTATORI (AGJENCIA E TË RINJVE DHE SPORTIT) (2012) Dita e pavarësisë së Maqedonisë. Jep mirënjohje për arritje në sferën e sportit për sportistë, trajnerë dhe punonjës në sport. Brenda një viti mund të akordohen deri në pesë çmime Vlera: dhjetë paga mujore mesatare. Pension i përjetshëm në vlerën e një page mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 2012.