Shkup, 11 prill – Relaksim i politikës ndëshkuese dhe uljeve të gjobave tek dogana, paralajmëroi ministri i Financave, Dragan Tevdovski në shënimin e sotëm të Ditës së Drejtorisë Doganore të Republikës së Maqedonisë.
Në pajtueshmëri me Programin dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, ndërsa me qëllim të lehtësimit të kushteve të biznes bashkësisë dhe në interes të qytetarëve, janë përgatitur ndryshime ligjore për zbutjen e politikës ndëshkuese.
“Në koordinim me Drejtorinë Doganore u realizua kontroll gjithëpërfshirës i politikës ndëshkuese dhe u përgatitën propozime për uljen e gjobave, gjegjësisht për shqiptimin e tyre në mënyrë përkatëse me peshën e kundërvajtjes së realizuar”, theksoi ministri.
Drejtori i Drejtorisë Doganore, Gjoko Tanasoski vlerësoi se kjo do të paraqet drejtësi në sistemin e ndëshkimit.
Ai shtoi se një nga prioritetet strategjike për Doganën është përmirësimi dhe thjeshtësimi i legjislacionit doganor, me qëllim të lehtësimit të punës së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe rritje e konkurrencës dhe eksportit.
“Një nga prioritetet tona më të rëndësishme në periudhën e ardhshme do të jetë përmirësimi dhe eliminimi i të gjithë barrierave jotarifore në punën doganore që do ta realizojmë përmes Komitetit kombëtar për lehtësim të tregtisë. Sistemi i deritanishëm i dhënies së lejeve, aprovimeve dhe licencave në kufi do të eliminohet. Në kufi do të jepen vetëm lejet e domosdoshme veterinare dhe fito sipas standardeve ndërkombëtare, ndërsa të gjithë lejet e tjera do të jepen në brendësi. Në këtë mënyrë jashtëzakonisht do ta përshpejtojmë lëvizjen e mallrave përmes kufirit”, tha Tanasoski.
Duke folur për rezultatet në vitin e kaluar, theksoi se janë paguar gjithsej 1,27 miliardë euro, që është për 86 milionë euro gjegjësisht 7,2 për qind më shumë nga viti 2016, kur janë paguar 1,19 miliardë euro.