Strugë, 2 shkurt – Më në fund Komuna e Strugës, pas shumë vitesh vjen me një investim të madh sa i përket sigurisë në rrugë, përkatësisht ndriçimit rrugor, shkruan gazeta KOHA. Siç informuan vendorët, tashmë janë përcaktuar lokacionet më problematike ku do të vendoset ndriçimi. Janë përcaktuar të ashtuquajtura “pika të zeza” sa i përket vendeve, ku janë shënuar raste aksidentesh, ku do të vendosem kandelabra sipas standardeve më të fundit në komunikacion, nënvizon Roland Amzai, nga Zyra për marrëdhëniet me publikun. “Konkretisht në rreth-rrotullimin ‘Euro-Hotel’ do të vendoset 1 kandelabër në kryqëzimin ‘Euro Hotel’ – magjistrale Strugë-Qafëthanë, do të vendosen 6 kandelabra, në kryqëzimin e Misleshovës do të vendosen po ashtu 6 kandelabra. Segmenti prej urës së magjistrales deri te rreth-rrotullimi i ri do të ndriçohet tërësisht. Në rrugën Belicë – Veleshtë do të vendohen 6 kandelabra të reja gjithashtu.
Sa i përket hyrjes në qytet nga fshati Teferiç, përkatësisht vendi i njohur si “Pompa e Benzinës”, do të instalohet një rrjet ndriçimi prej 11 kandelabra, duke ditur numrin e madh të aksidenteve në këtë pikë. Shumë prej segmenteve nuk janë në kompetencë të Komunës së Strugës e, megjithatë komuna e ka parë të arsyeshme, që jetët e njerëzve të mos shihen nga ky aspekt”, thekson Roland Amzai nga Zyra për marrëdhëniet me publikun në Komunën e Strugës. Janë disa rrugë me një bilanc negativë sa i përket aksidenteve të trafikut në Strugë, bilanc i cili është rënduar edhe si rezultat i mungesës së ndriçimit rrugor apo sinjalistikës tjetër shoqëruese. Rruga nga Mislesheva deri te rreth-rrotullimi kryesor i qytetin apo deri te rreth rrotullimi te ‘Euro Hoteli’ kanë rezultuar me pasoja të rënda jo vetëm për pjesëmarrësit në trafik, por edhe për këmbësorët të cilët në disa raste edhe kanë humbur jetën. Këtë situatë e kanë konfirmuar edhe raportet periodike të policisë së Strugës, të cilët, përveç se kanë përcaktuar faktorin njëri dhe shpejtësinë e madhe të mjeteve në këto dy akse rrugore, kanë përcaktuar se një faktor shtesë i rritjes së aksidenteve me pasoja në këto akse, ka ardhur edhe si rezultat i mungesës së ndriçimit të këtyre rrugëve. (P.L)
Ndriçohen rrugët që sjellin aksidente!
Leave a comment