Urim HASIPI
Tetovë, 12 tetor – Dekada me radhë në lagjen Drenovec të Tetovës ka munguar ndriçimi publik, shkruan gazeta KOHA. Në këtë paralagje tetovare, edhe pse funksionojnë dy shkolla, gjegjësisht një shkollë fillore dhe gjimnazi “7Marsi”, nxënësit kanë qarkulluar nëpër trotuare të pandriçuara. Krahas nxënësve, edhe banorët e kësaj lagje kanë lëvizur në rrugë të pandriçuar, duke u ekspozuar rreziqeve të shumta nga qentë endacak dhe nga frekuentimi i makinave në rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë. Në ndërkohë, këtyre ditëve është vënë në funksion ndriçimi publik në këtë lagje, ndërsa edhe në disa lagje të tjera tetovare i njëjti ka filluar të ndriçojë rrugët e errëta në qytetin e Tetovës.
“Në partneritet me Republikën e Sllovenisë realizuam projektin e ndriçimit Smart LED, në 3 rrugë të qytetit me një gjatësi totale prej 3200 metra. U ndriçuan rruga e gjimnazit, rruga e spitalit deri në kryqëzimin me bulevardin e Industriales si dhe rruga rajonale përgjatë fshatit Poroj dhe një pjesë e lagjes Drenovecit”, njoftuan nga Komuna e Tetovës.
Sipas shërbimit për informim në Komunën e Tetovës, ndriçimi publik mundëson që të detektohen edhe dëmtimet. “Ky lloj i ndriçimit përdor algoritme për sa i përket rregullimit të intensitetit të ndriçimit, duke u përshtatur në frekuencën e qarkullimit të komunikacionit si dhe mundëson detektimin dhe alarmimin e dëmtimeve eventuale”, thonë nga Komuna e Tetovës. Ndriçimi publik tashmë ka filluar të funksionojë edhe në rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë, gjegjësisht në territorin e Komunës së Tearcës. Po ashtu vite më radhë është duke u kërkuar ndriçim publik edhe në Kodrën e Diellit në Tetovë, por edhe atje nuk është shprehur interesim edhe pse shumë iniciativa qytetarëve kanë kërkuar që të realizohen investime edhe në këtë pikë turistike, por deri më tash kërkesat kanë hasur në vesh të shurdhër.
Ndriçimi publik është një nga problemet kryesore në shumë lagje periferike të Tetovës. Në më shumë lagje ky problem pothuajse vite me radhë nuk gjen zgjidhje, ndërsa banorët gjithnjë ankohen se kanë problem gjatë qarkullimit në orët e natës. Nga komuna njoftuan se kohëve të fundit është duke u punuar në përmirësimin e ndriçimit publik në më shumë rrugë dhe lagje të Tetovës. “225 shtylla të reja për ndriçim publik janë duke u vendosur në shumë lagje të Tetovës. Investimi është 18 milionë denarë, prej të cilëve 40 për qind të mjeteve janë nga Qeveria e Sllovenisë. Ky projekt është në fazën finale dhe pritet që të vihen në funksion këtyre ditëve” thonë nga Sektori për tokë ndërtimore dhe komunikacion në Komunën e Tetovës. (koha.mk)