Njëra anije e Gruevskit po prishej, por njëkohësisht aty në breg të Vardarit po punohej. A do të kthehen ato pllakat e vogla klasike të makadamit, këtë e dinë autoritetet e Qytetit të Shkupit, por kjo ma përkujtoi heqjen e mëparshme, ato që në Sheshin e Shkupit i kishte vënë RistoPenovi, e që Koce Trajanovski i zëvendësoi me mermer…
Nga Daut DAUTI
- “E MORI LUMI” ANIJEN E GRUEVSKIT!
Lexova në fillim të javës lajmin se do të fillojë të çmontohet anija në lumin Vardar, në afërsi të hotelit “Holidej in” në Shkup. Po e “merrka lumi” anijen(“galinë”) e Gruevskit dhe po çliroheshka shtrati i lumit nga një nga marritë projektit Shkupi 2014. Hë, lëshova në vete diçka si një klithmë të pa zë, kur e lexova se Shilegovi vërtet po e prishka anijen. Më erdhi paksa keq. Sepse, saherë që kaloja nga këto urat e famshme që kanë plot figura të njohura e të panjohura, poshtë Urës së Gurit, përherë më shkonte dora të bëj ndonjë fotografi me smartfon.
Dhe në pauzë të punës, i thashë një kolegu, hajt të shkojmë pak të shohim çka po ndodh me anijen, a vërtet po e prishin(si një lloj verifikimi të lajmit)? Por gjersa afrohesha, vazhdoja të ndjeja keqardhjen, sepse m’u kujtuan gjithë ato “selfi” që kisha bërë saherë që kisha kaluar, sepse ura me shumë figura, uji i Vardarit, dhe ato “shelgjet e pikëlluara” („жалниврби”), “mbjellja” e të cilave kishin kushtuar sa tri-katër banesa të mia, dhe anijet në prapavijë, u jepnin elemente “artistike” fotove! Kurse të mos flasim për frymëzimin që jepnin për dike që është “i frymëzueshëm” si unë… dhe ato i qet në letër.
Nejse, me kolegun dolëm në anën e djathtë të Vardarit, anija ende ishte në “këmbë”, por pamë një lëvizshmëri më të madhe njerëzish që hynin e dilnin prej anijes dhe vërejtëm thasët e bardhë të cilët me gjasë ishin mbushur me pjesë të inventarit të anijes. E shikova “gabaritin” e anijes ende të paprekur së jashtmi dhe paramendova pjesët e saj futur në thasë, ngjashëm si kufomat e ushtarëve në ndonjë betejë të madhe kur nuk ke mjaftueshëm as arkivole. Edhe kjo anije tashmë po shndërrohej në kufomë…, që do të përfundonte copa-copa në thasët e bardhë. E pastaj, kushedi se ku do të përfundonin ato, te fabrika kroate që e ka ndërtuar, apo në stufa.
Por me kolegun nuk mund të pajtoheshim rreth arsyeshmërisë së këtij akti. Ai e aprovonte. Mua më dukej vandalizëm institucional prishja e një objekti, qoftë edhe kiç, siç është një anije jolundruese në një lum të palundrueshëm. I them kolegut se jam dakord se nuk është dashur të ndërtohen gjithë këto objekte dhe sidomos këto anije, por tash kur janë ndërtuar dhe janë një kënd atraktiv(anijet përdoreshin si restorante) sidomos për të huajt, nuk më duket në rregull prishja e tyre. (Të vetmen prishje deri tash nga projekti i Shkupit 2014 që e kam arsyetuar, është largimi i bustit të Todor Panicës-Qoses, personit që kishte pasur detyrë “patriotike” t’i vrasë të gjithë kundërshtarët politikë të rrymave të ndryshme brenda VMRO-së historike, se nuk e konceptoja të ketë përmendore vrasësi i shumë figurave tjera historike që poashtu kishin përmendore).
Përpos anijes që i ka ardhur rendi të mënjanohet, vumë re se gjithë shëtitorja përskaj Vardarit ishte rrethuar për shkak të punëve që kryheshin. Nuk isha në rrjedha se çka ndërtohej. Ishin hequr pllakat e bekatonit (apo të mermerit, çfarë ishin?). Domethënë, edhe një prishje, për të ndërtuar diçka ndryshe! Tash a do të kthehen ato pllakat e vogla klasike të makadamit, këtë e dinë autoritetet e Qytetit të Shkupit, por kjo ma përkujtoi heqjen e mëparshme, ato që në Sheshin e Shkupit i kishte vënë RistoPenovi, e që Koce Trajanovski i zëvendësoi me mermer. Tash mermeri me se do të zëvendësohet dhe në të vërtetë, për çka po bëhet i gjithë ky ndryshim?
Prish, ndreq, prish…ndreq. Mirë është kur ndreqet diçka, por si të arsyetohet kur prishet. Kolegu që është më i drejtpërdrejtë, më thotë se nuk ndërtohet nëse nuk prishet, e kur ndërtohet ma kollaj vidhet, sepse nuk mund të kontrollosh investimet në ndërtimtari, ose më saktë, më kollaj se gjithkund tjetër mund të lahen paratë.
E po jo shumë larg anijes, është Teatri. Ai teatri i famshëm i cili u nda në tender që të ndërtohet me 7 milionë, e për të cilin shumëkush thotë se ka mbërritur në mbi 60 milionë, dhe nëse ndodh të mbahet ndonjë shfaqje në ditë me shi, shfaqjet ndërpriten sepse nga kupola e tij pikon ujë!(Ama ministrja e atëhershme e kulturës nuk ka padi, siç kanë disa të tjerë, ndoshta ngase në një moment u desh për të votuar ca gjëra delikate në parlament (një “flijesë” për “interesa të larta” shtetërore!)
Si gjithmonë, vallen e prishje-ndreqjeve të këtilla e hedhin partitë maqedonase. Ka ndërtuar LSDM-ja ose PLD-ja, vjen VMRO-ja e ua prishë, çka ka ndërtuar VMRO-ja, ja vjen LSDM-ja e i heq me mermer e me anije… Po partitë shqiptare? Ato bëjnë sehir në prishje ndreqjet e partive maqedonase, por, nga ana tjetër, të paktën përpiqen edhe ato të “shkepin” diçka për interesat e votuesve të tyre, si psh. për teatrot në Shkup e Tetovë, sheshin e Skënderbeut, ose futjen e ndonjë elementi ilir në Kalanë e Shkupit…, por, të paktën kur ndërrohen (nëse ndërrohen) nuk i prishin ato që janë ndërtuar më parë.
- “LOKDAUNET” E MENDJES…
Pas rivendosjes së masave më rigoroze kundër covid 19-shit nga ministri i kthyer, Arben Vitia (në mandatin e tij të parë e uli pandeminë në 0 raste), u ankua shumëkush, e ndër ta, bëri përshtypje komenti i reperit puro-patriot Gold AG. Ai, pa ndonjë hezitim, aludoi në masat që kanë të bëjnë me muajin e ramazanit: “Si të vjen Ramazani, virusi egërsohet, na keni lodhë!”! Në doni ta lexoni drejtpërdrejtë, në doni midis rreshtash, nuk lë vend për të supozuar ç’ka dashur të thotë autori.
Një “interpretim” të ngjashëm të masave në një shtet me qeveri jo muslimane, si psh.në Maqedoninë tonë të Veriut, pata mundësi ta dëgjoj ditë më parë kur një mik më tha: “po i rrisin me qëllim numrat e infektimeve, që të na kufizojnë për ramazan”, ndaj interesant m’u duk edhe komenti i reperit nga Kosova. Ama Gold AG duhet ta ketë gabuar adresën, sepse qeveria e Kosovës nuk është e krishtere dhe nuk mund të ketë ndonjë qëllim të veçantë kundër myslimanëve, ajo vetë është me shumicë e tillë dhe nuk shoh logjikë që masat e saj të kenë konotacion fetar, edhe pse ka kohë që në Kosovë po bëhet një betejë, ku e heshtur e ku publike, midis “ateistëve” të trashëguar nga komunizmi dhe disa qarqeve paksa më ekstreme islamike (ndikimi i jashtëm ka depërtuar, kjo u pa edhe me pjesëmarrjen në fronte myslimane-myslimane, larg prej këtu).
Gold AG, i cili shpesh me deklarimet e tij ka dëshmuar se i respekton normat fetare(çdo respekt për të dhe për këdo tjetër), por kufizimet e virusit për të mos u përhapur në turmë, janë një nga “ilaçet” kryesore që po zbatohen gjithkund nëpër botë, edhe atje ku ka të krishterë e s’ka fare myslimanë ose ka pakë, edhe atje ku ka shumicë myslimane e më pak të krishterë e të tjerë. Ja, edhe në Turqi, si një shtet me parime të forta fetare, tash kur shënon si shumë shtete, rritje të infektimeve(virusi nuk bën dallim te besimtarët!), dhe qeveria e Erdoganit paralajmëron masa të veçanta pikërisht për muajin e ramazanit, e të mos përmendim se vitin e kaluar, në kohë pandemie të intensitetit shumë më të ulët se ky që e kemi tash me mutacionet më të rrezikshme të koronarvirusit, Arabia Saudite anuloi haxhillëkun, e sigurisht do ta bëjë edhe sivjet dhe shumë vende myslimane patën mbyllur edhe xhamitë(përderisa mbyllen shkollat dhe fakultetet, pse qenka gabim mbyllja e xhamive?). Pra, kush na qenka kundër myslimanëve?
…
“Lokdaun” apo “nokdaun”, kishte shprehur “dilemën” dikush në rrjetet sociale. Këtë nokdaunin e di çdokush që ka përcjellë të paktën një duel boksi, ndërsa lokdaunin e kemi futur në fjalor prej se u shfaq pandemia. Shumëkush prej nesh edhe nuk ia di kuptimin e saktë, ama të gjithë e dimë që lokdaun është kufizimi i qarkullimit, izolimi masiv i popullatës, ndërprerja aktiviteteve ekonomike e të tjera… Nuk jam i sigurt nëse ndonjë nga masat e deritashme te ne mund të quhet lokdaun në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Ne përherë sillemi diçka “në mes”, ndonjëherë sa për të qenë, prandaj dhe në përpjesëtim e popullatën, jemi kampionë pandemikë në rajon. Ne kemi ardhur në një fazë kur nëse nuk bëjmë kufizime, rritja e infektimeve mund të shkojë me progresion matematikor, në kohën kur edhe “optimistët oficielë” Filipçe e Karaxhovski po e pranojnë se stafi mjekësor është lodhur dhe kapacitetet spitalore para kolapsit.Lokdaunet shumë vende kanë dy qëllime parësore: e para që të ulet përhapja e virusit dhe e dyta, pas kësaj ulje të pasojë vaksinimi masiv. E keqja me masat kufizuese te ne është që edhe nëse arrihet efekti i uljes së infektimeve, vaksinat nuk i kemi kurrkund për një përfshirje masive të popullatës, kurse në kohën kur me vaksinat që janë “të kapshme”, ekzistojnë dyshimet e bazuara për efektin e tyre(AstraZeneca, me mpiksjen, ajo kineze e paverifikuar), gjë që e shton skeptizimin te popullata, pasi arsyetimet se efektet anësore janë më të vogla se dobia nuk është ndonjë ngushëllim para frikës se mund të të kapë pikërisht ty ndonjë efekt i tillë serioz.
Përderisa në shumë vende është në vijim e sipër procesi shpresëdhënës i vaksinimit, vetëm Anglia dhe Izraeli mund të kenë indikacione të qarta se çka nënkupton vaksinimi i suksesshëm. Këtë më së miri e dëshmon një krahasim midis 254 viktimave për një javë në Anglinë me afro 70 milionë banorë, ku 32 milionë e kanë marrë dozën e parë të vaksinës dhe 5.5 milionë edhe të dytën, kurse në Maqedoninë e mbetur me më pak se dy milionë, me 0,7 për qind të popullatës së vaksinuar, të njëjtën periudhë javore ka pasur 267 viktima!
- “NUK DO TË PRANOJMË”…
Regjistrimi i popullsisë u shty për shtator, pa u prekur në esencën e tij. Me ligj regjistrohet edhe popullsia rezidente, edhe ajo që është jashtë, por lideri i VMRO-së opozitare, me kërkesën dhe me votën e të cilit u bë shtyrja, vazhdon “tra-la-la-në” si në atë përrallën e njohur, se nuk do ta pranojë rezultatin e regjistrimit të diasporës. Çështja është për të qeshur ose për të qarë? Sepse, të votosh ligjin, siç e bëri ai, e ligji është i qartë, e të vazhdosh pastaj ta kundërshtosh zbatimin e tij, nuk shkon me logjikën e shëndoshë. Nga ana tjetër, partia e tij e pati shansin kur ishte në qeveri në vitin 2011 ta zbatojë një ligj “më të favorshëm”, por nuk e kreu, për arsyet që kanë mbetur enigmë, por që mund të ndërlidhen edhe me dyshimet e njëjta përse edhe sot janë kundër përfshirjes më të madhe të popullsisë.
Në të kaluarën 30 vjeçare të pluralizmit, për subjektet politike maqedonase ka qenë dhe ka mbetur karakteristikë humbja e energjisë në mohimin apo kontestimin e kërkesave të shqiptarëve, në vend se atë energji ta shfrytëzojnë për çështjet më jetike për të gjithë qytetarët. Pra, Mickovski, i cili ka paralajmëruar bashkëpunim me partitë opozitare shqiptare, duhet të pushojë të merret me këtë temë nëse nuk e ka për qëllim që të vazhdojë të jetë opozitar, sepse nëse vazhdon kështu, nuk besoj se Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa Demokratike do të kenë forcën të ulen bashkë me një subjekt të tillë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)