Nga aspekti mjekësor, këshillohet që në bashkëpunim me mjekun – të merren vitamina të ndryshme. Mjekët thonë se zgjidhja e kësaj problematike kërkon angazhimin e më shumë institucioneve, sidomos atyre qendrore, por edhe lokale që të evitohet ndotja e lartë e ajrit
Urim HASIPI
Tetovë, 17 janar – Efektet e ndotjes së ajrit janë të shumta, por më shumë që pëson është shëndeti i qytetarëve. Ajri i ndotur kryesisht atakon sistemin respirator, paraqitjen e sëmundjeve malinje, si dhe sistemin reproduktiv. Deri më tani në Maqedoninë e Veriut, ende nuk ka ndonjë punim shkencor i cili do të kishte verifikuar, se si ndikon ndotja e ajrit në shëndetin publik, por në bazë të hulumtimeve që janë bërë në botë, ndotja e ajrit ndikon shumë në shëndetin e qytetarëve sidomos në atë reproduktiv. Merale Rexhepi, gjineokologe, pohon se ndotja e ajrit ka ndikim tek meshkujt edhe tek femrat për sa i përket sistemit reproduktiv.
“Ndotja e ajrit ndikon tek çiftet të cilët planifikojnë të kenë fëmijë, pra tek çiftet që ende nuk kanë shtatzëni në familje. Kujdesi duhet të bëhet derisa të vjen shtatzënia, sepse ndotja e ajrit ndikon në qelizat reproduktive, qoftë ato femërore qoftë mashkullore. Pra ndikon në kualitetin dhe numrin e qelizave mashkullore, por poashtu ndikon edhe në qelizat e shëndosha femërore. Duke patur parasysh këtë, ne që në fillim mund të presim se do të kishim një shtatzëni problematike dhe kujdesi duhet të bëhet derisa të vjen shtatzënia”, thotë Merale Rexhepi, gjinekologe. Ajo thotë se megjithatë organizmi i ka aftësitë mbrojtëse si nga faktorët e jashtëm poashtu edhe të brendshëm. Sipas saj, fryti edhe pse është i mbrojtur megjithatë nëse organizimi i një femre është i ekspozuar për një kohë të gjatë atëherë edhe pasojat do të jenë më të mëdha.
Rexhepi shprehet se ekspozimi i një femre shtatzëne nëse është gjatë në një ambient ku ndotja e ajrit është mbi 200 mikrogram kub metër të grimcave të rrezikshme, atëherë rreziku për të patur abort rritet për 10 për qind. “Abortet i hasim çdo ditë dhe nuk mund të themi se është në rritje numri i tyre, e paparë, e papritshme. Jo vetëm tek neve, por edhe në shtetet e zhvilluara, ka aborte spontane, apo vdekshmëri të frytit në barkun e nënës. Në kryeqytet, por edhe në Tetovë, veçanërisht në muajt e dimrit, ku kemi më shumë se gjysmën e vitit me ajër të ndotur, pra është e pritshme që numri i aborteve në muajt e parë të shtatzënisë, apo deri në javën e dymbëdhjetë, atëherë haset vdekshmëria më e madhe. Nëse kjo fazë tejkalohet, atëherë rreziku është i vogël. Këtu i kemi edhe lindjet e parakohshme, lindje e frytit me peshë më të vogël dhe shumë pak kemi raste që lindin me anomali. Pra ka aborte, por nuk kemi vdekshmëri të foshnjës në barkun e nënës”, thotë ajo.
Mjekët apelojnë që çiftet të largohen nga ambiente ku ka ndotje ekstreme të ajrit, sidomos bulevardet, të shmangen lëvizjet në oraret kur komunikacioni është i dendur, të shmangen daljet gjatë muajve të dimrit sidomos kur ka mjegull. Poashtu duhet që sa më shumë të ajrosen ambientet e brendshme ku ngrohja është me dru që sa më pak të mblidhen materie të dëmshme. Nga aspekti mjekësor, këshillohet që në bashkëpunim me mjekun të merren vitamina të ndryshme. Mjekët thonë se zgjidhja e kësaj problematike kërkon angazhimin e më shumë institucioneve sidomos atyre qendrore por edhe lokale që të evitohet ndotja e lartë e ajrit. (koha.mk)