“Zakonisht gjatë periudhës se vjeshtës dhe dimrit – viteve të fundit, ka shtim të numrit të pacientëve në krahasim me vitet e kaluara. Kjo si pasojë e ndotjes së ajrit, ku më së shumti pësojnë personat e sëmurë kronikë – sidomos ata që kanë probleme me organet e frymëmarrjes. Kohëve të fundit kemi pacientë edhe që nuk kanë sëmundje kronike, por që ankohen për probleme shëndetësore dhe kjo vjen si pasojë e ndotjes së ajrit në rajonin e Pollogut”, thotë Demiri
Urim HASIPI
Tetovë, 13 tetor – Brenda vitit në Spitalin special për sëmundjet e Mushkërive dhe Tuberkulozës në fshatin Leshkë, trajtim marrin rreth 850 persona. Kryesisht bëhet fjalë për pacientë, të cilët kanë probleme me frymëmarrjen, respektivisht me mushkëritë dhe tuberkulozin. Kështu thotë mjeku Femi Demiri, pneumoftiozlog në këtë spital. Sipas tij, kapaciteti i këtij Spitali është 45 shtretër, ndërsa aktualisht trajtohen 30 pacientë, shkruan gazeta KOHA.
“Në këto 45 shtretër mjekohen pacientë që vuajnë nga sëmundjet e mushkërive dhe ata me tuberkulozë. Momentalisht mjekohen 30 pacientë, ndërsa prej tyre katër janë me tuberkulozë, ndërsa tjerët janë me sëmundje tjera kronike të mushkërive, si me astmë, me bronkit, dhe sëmundje tjera të mushkërive, të cilët trajtohen prej 7 deri në 10 ditë më së shumti. Vitet tjera kemi patur prej 800 deri 850 hospitalizime në këtë spital. Nuk kemi ndonjë rritje të theksuar”, thotë ai. Në këtë spital, trajtimi zgjatë rreth dy javë, ndërsa më pas pacientët vazhdojnë mjekimin me terapi në shtëpi. Mjekët thonë se më shumë pacientë ka gjatë sezonit të vjeshtës dhe dimrit, por nuk mungojnë edhe pacientët gjatë verës, kur për shkak të ftohjeve nga kondicionerët, ka pacientë që kërkojmë mjekim.
“Në vjeshtë dhe dimër kemi rritje të frekuentimit të pacientëve, të cilët kanë qenë më herët dhe vijnë sërish për shkak të ndezjeve apo përkeqësim i gjendjes së mëparshme tek pacienti me sëmundje kronike, si pasojë e ndryshimeve të temperaturave. Po ashtu, ndryshimi i koncetrimit të pluhurave dhe tymrave që më së shumti keqësohet në kohën e dimrit kur bëhet edhe djegia e materieve për ngrohje që më së shumti përdoren, drunjtë, qymyrit, naftës të cilët e rëndojnë gjendjen e koncetrimit të materieve të ndryshme në ajër. Bashkë me virozat e stinës, kjo e përkeqëson gjendjen e të sëmurëve kronik”, thotë për KOHA, mjeku Demiri.
Ai thotë se ndotja e ajrit ka bërë që të rritet numri i pacientëve. “Zakonisht gjatë periudhës se vjeshtës dhe dimrit – viteve të fundit, ka shtim të numrit të pacientëve në krahasim me vitet e kaluara. Kjo si pasojë e ndotjes së ajrit, ku më së shumti pësojnë personat e sëmurë kronikë – sidomos ata që kanë probleme me organet e frymëmarrjes. Kohëve të fundit kemi pacientë edhe që nuk kanë sëmundje kronike, por që ankohen për probleme shëndetësore dhe kjo vjen si pasojë e ndotjes së ajrit në rajonin e Pollogut”, thotë Demiri.
Aktualisht në këtë spital ka rreth 32 të punësuar, prej tyre pesë mjek. Ky spital është ndërtuar në vitin 1946, si Sanatorium për mjekimin e tuberkulozit që atë kohë, ka qenë në nivel të lartë, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1952, ky Spital transferohet në kuadër të objekteve të Kompleksit të Manastirit, me 120 shtretër.
Në vitin 1980 zvogëlohet kapaciteti në 70 shtretër, dhe emërohet Spital i Sëmundjeve të Mushkërive dhe Tuberkulozit. Ndërkaq në vitin 1990, ky Spital integrohet në kuadër të Qendrës Medicinale të Tetovës si repart për këto sëmundje. Në vitin 2001 pushon së funksionuari për shkaqe sigurie deri në vitin 2007, kur edhe me ndihmën e Qeverisë dhe Ambasadës së Norvegjisë, ky spital rifillon me punë dhe funksionon si spital special në vete në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. (koha.mk)