Cilat janë pasojat për shëndetin nga thithja e ajrit të ndotur?
– Ajri i ndotur përbëhet nga disa grimca të ndryshme organike dhe joorganike. Një pjesë e tyre janë PM grimca, i quajmë PM 10, sepse janë dhjetë mirkometra në diametër dhe janë në numër më të madh. Ka grimca, që janë nga dy e gjysmë deri në pesë mikrometra me madhësi të mesme dhe ka nën një mikrometër, të cilat vijnë deri te organet më të vogla të frymëmarrjes të ashtuquajtura alveola. Ato janë të dëmshme dhe shkaktojnë karcinom të mushkërive. Grimcat më të mëdha kryesisht mbeten në hundë dhe në membranën e mukozës të syve, si dhe në trungun bronkial edhe tek të egzaminuarit e shëndetshëm.
Tre vite kam qëndruar në Britaninë e Madhe ku kam marrë pjesë në punën shkencoro-hulumtuese për ndikimin e ozonit dhe ndotësve të tjerë të rinj të ajrit mbi shëndetin e njerëzve. Të gjithë ndotësit e ajrit, duke filluar nga ozoni, karburanti dizel… ndikojnë në mënyrë të tillë që në membranën e mukozës së hundës, në traktin respirator zhvillojnë një infektim të lehtë, që mundet tek dikush të manifestohet me simptoma të caktuara, ndërsa të tjerët mund të kenë simptoma shumë të lehta. Nëse kanë simptoma, ato mund të jenë ndonjëherë kollitje, irritim ose teshtima, grithje në grykë, shpim në sy.. Këto janë simptomat që paraqiten tek njerëzit e shëndoshë, të cilët kohë më të gjatë janë të ekspozuar në ndotje të ajrit.
Cilët njerëz konsiderohen si të rrezikshëm kur është në pyetje ndotja?
– Më të prekshëm janë fëmijët, më të moshuarit dhe pacientët me sëmundje kronike. Ndotja e ajrit është shkak, sidomos PM grimcat, për përkeqësim të gjendjes tek pacientët me sëmundje kronike respiratore, siç janë astma, pneumonia, sëmundja kronike obstruktive e mushkërive, infeksioni i sipërm respirator, ftohjet, sëmundjet kardiologjike, problemet kardio -pulmonale, infarkti, kardiopimopatitë… Do të thotë, ndotja e ajrit, përveç që tek njerëzit e shëndetshëm shkakton ndonjë infektim të lehtë dhe ndoshta do të kenë ndonjë simptomë, definitivisht e përkeqëson gjendjen tek pacientët me sëmundje kronike, ndërsa përkeqësohen edhe alergjitë. Konsiderohet se ndotja e ajrit vepron edhe tek vetë alergjitë, në atë kuptim që e potencojnë agresivitetin e tyre, duke përkeqësuar simptomat tek këta pacientë. Edhe infeksionet janë më të shpeshta në këtë periudhë. Ndotja e ajrit i lehtëson të gjitha proceset e infektimit të trungut respirator nga hunda deri te mushkëritë, duke përfshirë edhe pneumoninë. Është dëshmuar se rritet numri i receptorëve në sipërfaqen e tyre, përmes së cilës hyn virusi.
A është rritur numri i pacientëve si pasojë e ndotjes me sëmundjet pulmonare gjatë viteve të fundit?
– Numri i pacientëve është në rritje, kjo është evidente e shohim, edhe hospitalisht me përkeqësim akut, gjegjësisht me reagime inflamatore të inkoluara në sëmundje kronike. Ndërkaq, unë me siguri nuk mund të pohoj nëse ky numër i rritur ka të bëjë në ndotjen e ajrit, e cila me dekada është e pranishme, ndoshta është pak më e përforcuar, sepse viteve të fundit matet. Si do ta dini nëse ka grimca PM kur nuk mateshin, ndërsa ishim dëshmitarë nëse edhe atëherë kishte mjegulla. E mbaj mend edhe para 20 viteve kishte mjegull dhe vinte erë e dioksidit të squfurit disa, dhe djegie të syve, por askush nuk e maste. Ndotja e ajrit është e dëmshme për pacientët me sëmundje kronike, te të cilët ka përkeqësim më të madh të gjendjes, por është e dëmshme edhe për secilin njeri të shëndoshë.
Si të përballet popullata me ndotjen e ajrit?
– Fillimisht duhet të ndërmerren masa sistemore. Janë paralajmëruar masa, i përshëndes të gjitha institucionet me masat të cilat duan t’i bëjnë. Secila masë është më e mirë se asnjë masë. Po, populli nuk guxon menjëherë të presë rezultate, ky është proces për uljen e ndotjes së ajrit. Do të thotë, duhet të kalojë kohë, masat e parapara të fillojnë të veprojnë. Atë që vetë qytetarët mund ta bëjnë është që kur kanë mundësi të qëndrojnë në ajër të pastër. Kur ajri është shumë i ndotur duhet të mbyllen dritaret dhe të përdoren filtrues të ajrit. Kur dalin jashtë, njerëzit duhet të mbajnë maska me filtra, të cilat mund t’i gjesh në farmaci. Nuk është keq në këtë të merren edhe antioksidantë. kemi bërë hulumtime te pacientët në spitalin „The Guy’s and St. Thomas“ në Angli dhe para se të jenë të ekspozuar në ajrin e ndotur u japim doza të mëdha antioksidantë, me qëllim të parandalohet veprimi i dëmshëm i ozonit dhe ndotjeve të tjera të ajrit. Këtë periudhë është mirë është e domosdoshme të merren sasi të caktuara të antioksidantëve, qoftë në formë të lëngjeve, bimëve, produkteve bimore, tabletave me vitamina E, D dhe C, dhe çfarëdo qoftë antioksidant në doza normale që të ulet ndikimi i dëmshëm i stresit oksidant mbi qelizat. (MIA)