Organizata Botërore e Shëndetit paralajmëroi të hënën se ndoshta për Coronavirus-in nuk do të ketë kurrë një ilaç, pavarësisht përpjekjeve për të zbuluar vaksinën efektive. OBSH u bëri thirrje qeverive dhe qytetarëve që të përqendrohen në gjërat bazike që duhet të dimë për virusin, pra siç janë testimi, gjurmimi i simptomave, ruajtja e distancës fizike apo vendosja e një maske.
“Ne të gjithë shpresojmë që të kemi një numër vaksinash efektive, që mund të ndihmojnë në parandalimin e njerëzve nga infeksioni, tha drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë virtuale për shtyp. “Megjithatë për momentin nuk ka asnjë ilaç real, dhe ndoshta nuk do të ketë kurrë”.
“Tani për tani ndalimi i shpërthimit të vatrave të infeksionit bëhet me njohuritë bazë dhe kontrollit të sëmundjes”, u shpreh ai. Coronavirus ka vrarë afro 690 mijë persona dhe ka infektuar 18.1 milionë që nga shpërthimi dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës.