Ish-kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka pranuar se në fund të mandatit, aftësia e saj për të ndikuar te presidenti rus Vladimir Putin është dobësuar. Merkel, e cila u kritikua gjerësisht për lidhjet e afërta që mbante me Rusinë, ka thënë se lufta në Ukrainë e ka ndryshuar situatën e sigurisë në Evropë dhe më gjerë. “Ishte e qartë se nuk do të jem në zyrë, kështu që thjesht duhet të pranoj se disa përpjekje të vitit të kaluar nuk ishin më me ndikim”, ka thënë Merkel për median gjermane Redaktionsnetzwerk Deutschland.
Dihet se në 16 vjet në detyrë, Merkeli mbajti kontakte me Putinin edhe në kohë të vështira dhe u përpoq që ky komunikim të mos shuhej kurrë. Lufta filloi më 24 shkurt dhe Merkeli nuk përjashtoi mundësinë që Putini po priste që ajo të largohej nga detyra për të sulmuar Ukrainën fqinje. “Mund të ketë ndikuar edhe kjo, por ka pasur edhe faktorë të tjerë si zgjedhjet në Francë, tërheqja e ushtrisë nga Afganistani dhe vonesa në zbatimin e Marrëveshjes së Minskut”, shtoi Merkel. Merkel u largua nga detyra vitin e kaluar, pasi ishte në pushtet nga viti 2005 deri më 2021.