Shkup, 15 dhjetor – Këshilli zgjedhor i Komunës së Tearcës, këshilli zgjedhor i vendvotimit numër 2011, si dhe Komisioni i vendvotimeve në Tearcë vazhdojnë të merren në pyetje nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, ndërsa për këtë vendvotim, ankesë ka dorëzuar LSDM. Dhe, derisa KSHZ po merr në “pyetje” anëtarët e komisioneve zgjedhore, para ndërtesës ku gjendet KSHZ janë grumbulluar numër i madh i simpatizantëve të VMRO-së, të cilët me zë të lartë si në kor këndojnë këngë patriotike si dhe bërtasin “VMRO-VMRO”. Në ndërkohë, po arrijnë simpatizantë edhe nga qytetet tjera, ndërsa mediat maqedonase raportojnë se autobusë me simpatizantë të VMRO-së janë nisur nga Velesi, Shtipi dhe Tetova. Para simpatizantëve të VMRO-së ka folur edhe ish-deputeti Antonio Milloshoski, i cili ka kërcënuar se askush nuk guxon t’ia marrë fitoren VMRO-së. Të pranishmëve i është drejtuar edhe deputeti Vllatko Gjorçev, i cili njëjtë sikurse Milloshoski, ka kërcënuar se do të përgjigjen të gjithë ata që duan t’i marrin shumicën VMRO-së. Atmosferë e tensionuar vazhdon të jetë para KSHZ-së, ndërsa shihet një numër i madh i pjesëtarëve të policisë. Ndryshe, deri tani, janë hedhur poshtë si të pabaza dy ankesa të LSDM-së. (koha.mk)