“UEFA IS MAFIA”. Të tilla parrulla, për afërsi gjeografike, jemi mësuar t’i shohim në duart e tifozëve serbë, në stadiumet e këtij vendi. Kjo, për shkaqe të ndryshme, kryesisht të ndëshkimeve për klubet apo kombëtaren serbe të futbollit, që nuk kursejnë nëpër ndeshje thirrje raciste dhe politike, kryesisht me fokus shqiptarët. Qeveria europiane e futbollit duket se ka tashmë kontestues të fuqishëm edhe në qytetin juglindor, Korçë. Kjo, si rezultat i dënimit të Skënderbeut për të mos marrë pjesë në Kupat e Europës për një edicion. Dyshimi se ka skuadra kampione në fuqi e Shqipërisë ka trukuar ndeshje në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në 6 vitet e shkuara ishte themeli i raportit të UEFA-s, që dha vendimet e saj përkatëse, të cilat mbetën në fuqi edhe në CAS-in e Lozanës. Pjesëmarrja e Partizanit në vend të Skënderbeut në Champions, herën e fundit, ishte diçka e pakapërdishme për tifozët korçarë. Këta të fundit nuk kanë hezituar ta nxjerrin dufin e tyre edhe në këto ditë të ftohta dimri, kur futbolli kombëtar është me pushime, në mjedis zyrtar të klubit, saktësisht në stadiumin “Skënderbeu”, të mbuluar nga dëbora. Më konkretisht, disa ultras kuqebardhë kanë pozuar zhveshur në dëborë, duke bërë “pompa”, si për t’i treguar “muskujt” UEFA-s dhe rivalëve. Gjithashtu, në dorën e njërit prej këtyre tifozëve, në krah të një njeriu prej bore, nuk mungon edhe një parrullë e shkruar mbi ngjyrat kuq e bardhë: “UEFA MAFIA”. Në sfond duken edhe banera të tjerë, mes të cilëve edhe “Ujqërit e Dëborës”, tifo-grupit më të madh e të organizuar të Skënderbeut. Të jetë rastësi kjo, apo përcjell edhe një pezm të brendshëm të klubit kampion në Shqipëri, përderisa gjithçka ndodh në stadium, kjo mbetet të marrë përgjigje nga gjithsecili, mjafton të bëjë një deduksion elementar logjik.