Eros Grezda duhet t`a ketë shënuar në kalendar datën “11 nëntor”. Ndeshje fantastike, dy gola, një asist dhe mbi të gjitha fitoi zemrën e 50 mijë tifozëve në stadium, e padyshim mijëra të tjerëve në Skoci. Futbollisti i kombëtares shqiptare luajti ditën e djeshme si titullar me Rangers, duke bërë një ndeshje fantastike në fitoren 7-1 të skuadrës së drejtuar nga legjenda Steven Gerrard, kundër Motherwell. Mbrëmjen e së dielës, pas ndeshjes, 23-vjeçari nga Gjakova, ka folur në një lidhje direkte për emisionin “Zona Gol” në Supersport. Futbollisti është shprehur i lumtur për dy golat e shënuar dhe mbi të gjitha fimin e mbështetjes së tifozëve të Rangers.
“Është ndjesi komplet ndryshe, sepse kur luajmë në shtëpi janë 50 mijë shikues dhe kur shënon është e papërshkrueshme. U ndjeva shumë mirë, dhe pas shënova golin e parë u lirova dhe tani fitova dhe besimin e tifozëve që është më e rëndësishmja”, tha gjakovari.
Gjatë ditës së sotme, Eros Grezda, do të vihet nën urdhrat e trajnerit Christian Panucci, për të nisur përgatitjet për ndeshjen kundër Skocisë.
“Do vij në kombëtare dhe kam marrë minuta nga grumbullimi i fundit. Ndihem mirë fizikisht dhe nuk është e thjeshtë pas një dëmtimi të gjatë. Gjërat kanë ndryshuar pak dhe po mundohem të shfrytëzoj mundësitë që po më jepen”, tha sulmuesi.