Që kur u miratua Ligji i ri për ASK-në në mars të vitit të kaluar, OJQ-të dhe ekspertët kërkuan në mënyrë të qartë të rregullohet se në cilat raste ASK-ja do të mund ta anashkalojë ATO-n dhe të përgjojë pa ndërmjetësimin e ATO-së. Ndër vërejtjet ishte përqendrimi i pushtetit tek Kryeministri, por pas disa muaj negociata midis qeverisë dhe opozitës, Ligji u miratua unanimisht në Parlament
Destan JONUZI
Shkup, 30 maj – Ish Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) tanimë e transformuar në Agjenci për Siguri Kombëtare (ASK) ende ka mundësi teknike për përgjime nga Agjencia Operativo Teknike (AOT), deklaroi ministri i Brendshëm, Naqe Çulev. Ai thekson se ASK ka ruajtur pajisjet teknike për ndjekjen e komunikimeve me ndërmjetësim të ATO-së. Sipas Çulevit, kjo është në kundërshtim me rekomandimet e Pribe-së për reforma në sektorin e sigurisë. “Tani, në kundërshtim me ligjin, kablloja optike, në vend që të shkojë direkt në Ministrinë e Brendshme, është lënë të shkojë nga Agjencia Teknike Operative përmes Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe më pas në Ministrinë e Brendshme. Pra, në këtë mënyrë, unë nuk e di dhe nuk pohoj se ASK-ja bën ndjekje të paligjshme të komunikimeve, por në kundërshtim me ligjin ka mbetur mundësia teknike”, tha Naqe Çulev, Ministër i Brendshëm.
Këto pohime të Çulevit i kanë demantuar nga ASK, duke i cilësuar deklaratat e tij si dezinformata. “Ministri teknik i Brendshëm ka plasuar një numër dezinformatash lidhur me punën e ASK-së, të cilat i cilësojmë si tendencioze dhe jo të vërteta. Sipas nenit 35 të Ligjit për AOT, pajisja për ndjekjen e komunikimeve që i posedonte ish DSK-ja janë dorëzuar në AOT më 25 tetor të 2018, për çka ka edhe një procesverbal për pranim dorëzim. Në deklaratën e Çulevit e vetmja e vërtet është se ish DSK-ja në aspekt të pajisjes teknike ka pasur monopolin për shfrytëzimin e pajisjes për ndjekjen e komunikimeve dhe se këtë rol skajshmërish e ka keqpërdor”, thuhet në reagimin e ASK-së. Nga atje shprehen të gatshëm për kryerjen e kontrollit nga organet mbikëqyrëse kurdo qoftë. Eksperti i çështjeve të sigurisë, Hasim Murtezani në prononcim për KOHA deklaroi se me themelimin e ASK si agjenci e pavarur nga MPB pjesa e përcjellës së përgjimeve me leje nga prokuroria dhe gjykatësi hetues i ka kaluar ASK. “Pretendimet e z. Çulev se i njëjti përgjohet ne nuk mund të konstatojmë se një gjë e tillë ndodhë apo jo përderisa nuk kemi dëshmi konkrete dhe prova. Një ndër qëllimet e ndarjes së ASK-se nga MPB ishte pikërisht dhe kjo, që mos të krijohet influencë dhe keqpërdorim i kompetencave nga udhëheqësit e MPB si në të kaluarën duke shantazhuar oponent politik. Nëse zoti Çulev posedon dëshmi se i njëjti përgjohet, të njëjtat duhet ti plasoj në organet kompetente për shkelje të kompetencave nga ASK dhe për ndërhyrje në privatësinë e tij”, deklaroi për KOHA, Murtezani.
Avokati Asmir Alispahiç vlerëson se duhet të sqarohet se për çfarë përgjimesh bëhet fjalë, a mendon ministri Çulev për përgjime të paligjshme me urdhër të gjykatës dhe prokurorisë apo përgjime pa urdhër. “Duhet të sqarohet çështja se a mendon ministri Çulev për përgjime të paligjshme me urdhër të gjykatës dhe prokurorisë, apo mendon për përgjime të kryera pa urdhër. Fizikisht ASK dhe AOT janë të ndara nga MPB, kjo është e rregulluar me ligj. Ka një komision serioz në Parlamentin e Maqedonisë i cili kryen kontroll ndaj këtyre institucioneve. Vlerësojë se kjo temë ende po keqpërdoret para zgjedhjeve për pikë politike”, deklaroi për KOHA, avokati Asmir Alispahiç. Ai është i mendimit se në vend nuk bëhen përgjime të paligjshme në kuadër të agjencisë së reformuar, por se kryen vetëm se ndjekje të bisedave telefonike vetëm se me urdhër të gjykatës dhe prokurorisë publike. “Që të mos ketë dilema, mbështesë kontroll dhe hetim nga ana e komisionit parlamentar dhe të Prokurorisë”, nënvizon Alispahiç. Ndryshe, që kur u miratua Ligji i ri për ASK-në në mars të vitit të kaluar, OJQ-të dhe ekspertët kërkuan në mënyrë të qartë të rregullohet se në cilat raste ASK-ja do të mund ta anashkalojë ATO-n dhe të përgjojë pa ndërmjetësimin e ATO-së. Ndër vërejtjet ishte përqendrimi i pushtetit tek Kryeministri, por pas disa muaj negociata midis qeverisë dhe opozitës, Ligji u miratua unanimisht në Parlament. (koha.mk)