Rikthimi nga kombëtaret është gjithmonë i vështirë dhe për Juventusin lajmet nuk janë aspak pozitive. Nëse Kristiano Ronaldo u tërhoq në muskujt e kofshës së djathtë, duke lënë pas gjysmë ore eliminatoren me Serbinë, dje stafi mjekësor bardhezi është vënë në alarm nga Paulo Dibala. Sulmuesi argjentinas ka pasur një ngurtësim të pulpës së majtë, e cila i ka shkaktuar shumë dhimbje, me lojtarin që është shtrirë në fushë.
Për të ka qenë i menjëhershëm urdhri për t’u larguar nga lista e të grumbulluarve, me numrin 10 që nuk qëndroi as prezent në stol e tribunë, por u urdhërua që të shoqërohej në shtëpi për të qëndruar në qetësi. Mëngjesin e sotëm, për Dibalën është përcaktuar vlerësimi i imtësishëm i këtij problemi, me shpresën se ky ngurtësim muskulor nuk do të jetë i rëndë (premisat të tilla janë), duke kujtuar se nga sfida e vajtjes në çerekfinale me Ajaksin, Juventusin e ndajnë vetëm 10 ditë. Ndërkohë, tifozët mbajnë frymën.
NGEC EDHE KANSELO Në fund të ndeshjes, një tjetër shqetësim ishte edhe ai për Zhoao Kanselon. Mbrojtësi i djathtë portugez u pa që të shtrihej në fushë pas vërshëllimës finale dhe nuk pranoi që të ngrihej nga shokët e tij, por kërkoi ndihmën e stafit mjekësor. Për të mendohet gjithashtu një kontraktim ose lodhje muskulore, duke kujtuar që luajti 180 minuta në eliminatoret me Portugalinë. Ndaj, edhe Kanselo si Dibala, ndoshta do të vlerësohet më imtësisht ditën e sotme.
CR7 NË PISHINË Ndërsa mbi Dibalën e Kanselon pritet të mësohet sot diagnoza, Kristiano Ronaldo ka nisur të punojë me ritëm maksimal për riaftësimin e plotë. Pas terapisë në pistën “AlterG” (pajisje që zvogëlon në 80 për qind dendësinë e ajrit, teksa sportisti vrapon mbi të), dje portugezi ka vazhduar seancën në pishinë, për të ruajtur masën muskulore. Pas 1 ore në pishinë, CR7 u është nënshtruar edhe seancave të fizioterapisë dhe disa masazheve, një program që pritet të përsëritet edhe sot. Ndërsa nesër (të hënën) do t’u nënshtrohet vizitave të fundit, të cilat do të japin diagnozën e qartë mbi yllin e Juventusit.