Ndikimi i Rusisë dhe Kinës në rajon shënon rritje, por jo edhe në Maqedoninë e Veriut

Ohër, 29 qershor – Ndikimi i Rusisë dhe Kinës në rajon shënon rritje, por ai nuk është i madh në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kompani kineze investojnë në projekte të mëdha infrastrukturore për të imponuar ndikimin e tyre mbi shtetet e vogla. Nga ana tjetër, Rusia imponon ndikim politik për të mbajtur fuqinë në Ballkan dhe kundërshton integrimet euroatlantike të tij. Nuk mungon as ndikimin turk dhe imponimi i qëndrimeve të saj mbi shtetet më të vogla, por megjithatë dëshira e Turqisë është që ta shohë vendin në NATO dhe Bashkimin Evropian, aty ku edhe e ka vendin. Këto janë vërejtjet e një pjese të pjesëmarrësve të Konferencës së 10 ndërkombëtare shkencore “Ndikimi i fuqive të mëdha mbi sigurinë e shteteve të vogla” që u mbajt në Ohër në organizim të Fakultetit të Sigurisë nga Shkupi, informon gazeta KOHA.

Profesoresha për siguri kombëtare Suzan Loftes nga SHBA bëri të ditur se ndikimi i Kinës vërehet me pjesëmarrjen gjithnjë e më të madhe të kompanive kineze në projekte infrastrukturore në rajon, derisa Rusia angazhohet për regjim pluralist të shpërndarjes së fuqisë në botë.

– Disa konsiderojnë se investimet kineze kanë edhe natyrë gjeopolitike, meqë ushtrohet ndikim te ato shtete të vogla që t’i ndjekin prirjet politike në rajon dhe më gjerë. Disa nga shtetet e rajonit kanë aspirata për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian dhe investimet e tilla janë të nevojshme. Kuptohet se investimet kineze janë të mirëseardhura meqë BE-ja deri tani nuk ka investuar në projekte të tilla. Përmes regjimit pluralist të shpërndarjes së fuqisë në botë Rusia dëshiron ta ruajë ndikimin e saj në rajon dhe kundërshton hyrjen e disa vendeve në integrimet euroatlantike. Investimet e saj janë më shumë në energjetikë, thekson Loftes.

Ajo konsideron se Rusia ka dështuar në raport me ndikimin në Maqedoninë e Veriut, meqë vendi zgjidhi kontestin e tij me Greqinë dhe është në rrugë të mbarë drejt aderimit në NATO. Por, konsideron se Rusia është mbështetëse e madhe e Serbisë dhe se nuk e njeh Kosovën, shtet të pavarur.

– Rusia gjithmonë e ka mbështetur parimin përçaj dhe sundo dhe mbjellë farën e krijimit të përçarjes në rajon. Ballkani Perëndimor është përplot me konteste të ndryshme etnike për shkak të diversiteteve, por sipas meje mundësia për konflikt gjithëpërfshirës të armatosur është e vogël meqë do të ketë pasoja katastrofale shkatërruese, tha Loftes, duke konstatuar se nëse ka prolongim të datës për bisedime ndikimi rus do të shkaktojë propagandë përmes mediave në vend.

Edhe profesorët maqedonas të sigurisë Zhidas Daskallovski dhe Nikolla Dujovski konsiderojnë se Rusia ka ndikim të pakonsiderueshëm në vend dhe se vendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është në BE dhe NATO.

– Në Maqedoni është minimale prania e ndikimit rus, por kjo është shumë më e shprehur në Serbi, si dhe në vende tjera anëtare të NATO-s dhe BE-së, si Kroacia dhe Bullgaria. Rusia ka interesat e saj strategjike të ndërlidhura me korridoret energjetike. Me këtë fuqi tenton të ndikojë në shkëmbimet kulturore me bursa, por kjo është në vëllim më të vogël sesa fondet e SHBA-së dhe BE-së. Çdo prolongim i proceseve të integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian i jep ndikim më të madh Rusisë, por edhe fuqive të tjera të mëdha si Kina dhe Turqia, konsideron profesori Daskallovski nga Fakulteti i Sigurisë i Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit”.

Dekani i Fakultetit të Sigurisë, Dujovski u shpreh i bindur se vendi në tetor do të marrë datë për fillimin e bisedimeve për hyrje në Bashkimin.

– Jam fortë i bindur se në dhjetor do të jetë konferenca e parë ndërqeveritare. Pa fillimin e bisedimeve nuk mund të përparojmë si shoqëri. Jemi të ngujuar në përplasjet ditore politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Nëse vjen deri te prolongimi i datës për bisedime shoqëria do të vazhdojë të vendnumërojë, të tjerët do të shkojnë përpara, ndërsa ne do të shkatërrohemi. Por, tani nuk është koha të mendojmë për skenarë të tillë, theksoi Dujovski.

Ai konsideron se edhe shtetet e vogla mund të jenë të mëdha vetëm nëse janë në shoqëri të tyre.

– Ne rrugën tonë e përcaktuam 30 vite më parë. Tani kur jemi pranë përfundimit të këtij procesi nuk shikoj kurrfarë mundësie që të imponohet një fuqi tjetër më e madhe meqë ne me urtësi, durim edhe nga pushteti edhe nga opozita arritëm ta sjellim shtetin thuajse para anëtarësimit formal në NATO, shtoi Dujovski.

Sipas tij, janë të mirëseardhura të gjitha investimet në vend, por rruga e vendit është drejt NATO-s.

– Investimet kineze i kemi në autostrada dhe ngjashëm, por ato ruse ende nuk i kemi parë, ndonëse Rusia përveçse në gazsjellësit nuk investon në infrastrukturë tjetër. Por, rruga jonë është drejt NATO-s. Dhe pres shumë më tepër investime të ketë nga Gjermania, Franca. Këta janë partnerët tanë strategjik, jo Rusia dhe Kina. Ne jemi tepër të vegjël për ta. Ata përmes nesh vetëm mund të kërkojnë interesa personale gjeostrategjike, shprehet profesori Dujovski.

Edhe shtetet e vogla duhet të kenë lirinë për zgjedhje të tyre

Profesori Datish Parulekar nga India konsideron se shtetet e vogla, duke përfshirë edhe Maqedoninë duhet të kenë lirinë për të bërë zgjedhjen e tyre në raport me çështjet e politikës së jashtme.

– Si një vend i ri Maqedonisë duhet t’i jepet mundësi për të zbatuar sovranitetin e saj, meqë besojmë në pavarësi bashkëkohore, mundësi që jepet në bërjen e zgjedhjes sovrane. Në këtë botë komplekse Maqedonisë duhet t’i jepet mundësi që të luajë rolin e aktorit në ato zhvillime gjeopolitike, theksoi Parulekari.

India, bëri të ditur ai, mban lidhje me të gjitha shtetet e sapokrijuara nga ish-Jugosllavi. Konsideron se të gjitha shteteve duhet t’u jepet mundësia që në mënyrë të pavarur t’i marrin vendimet e tyre, të vendosin lidhje ashtu siç mendojnë vetë se duhet pa ndikim të fuqive të mëdha perëndimore ose Rusia dhe Kina.

– Meqë Maqedonia paraqitet si një rajon ku me siguri do të mbërrijnë një numër i madh i investimeve botërore, vendi duhet të mbajë llogari për dy gjëra: stabilitetin dhe qëndrueshmërinë financiare. Asnjë investim nuk guxon të cenojë pavarësinë financiare të një vendi dhe duhet mbajtur llogari për qëndrueshmërinë dhe rrethimin, gjegjësisht mjedisin jetësor. Pra, shëndeti fiskal dhe mjedisi i qëndrueshëm jetësor janë me rëndësi substanciale, nënvizoi profesori indian.

Ai theksoi se ky është rajon shumë fluid me shumë aktorë që angazhohen në të dhe shumë faktorë të mëparshëm territorial që hyjnë.

– Pikërisht për këtë arsye konsideroj se Maqedonia duhet të bëjë zgjedhje të tillë, ku nuk do t’i vendosë të gjitha vezët në një shportë, gjegjësisht nuk do të aderojë drejt një partneri strategjik, por do të vendosë raporte të afërta të bashkëpunimi me shumicën e lojtarëve të tillë botëror. E tillë është politika e shteteve të vogla nëpër botë, ku multilateraliteti dhe pluraliteti i politikës së jashtme janë parim mbi të cilin i zhvillojnë marrëdhëniet e tyre, shprehet profesori Parulekar.

Turqia partner i rëndësishëm strategjik i Maqedonisë së Veriut

Lidhjet mes Turqisë dhe Maqedonisë, sipas profesoreshës së Universitetit të Sigurisë në Ankara, Selvar Shahin, janë shumë të ngushta si ato historike, po ashtu edhe ato ekonomike dhe kulturore.

– Turqia nuk e shikon Maqedoninë si partnere vetëm për shkak të lidhjeve historike dhe kulturore, por edhe për shkak të pozitës gjeopolitike të Turqisë në këtë rajon. Maqedoninë e percepton si partner të rëndësishëm meqë një shtet i qëndrueshëm dhe përparimtar do të paraqesë garantin për stabilitetin në rajon. Turqia mund të sigurojë ndihmë për zhvillimin e vendeve të rajonit përmes investimeve, rritjes së kapaciteteve dhe realizimit të projekteve, theksoi Shahin. Ajo theksoi se Turqia dëshiron që sa më shpejtë ta shikojë vendin në familjet euroatlantike. (koha.mk)