Reklamat, që kanë të bëjnë me ushqimin, kanë ndikim të madh në shprehitë ushqimore të fëmijëve, pa marrë parasysh se çka dëshirojnë apo nuk dëshirojnë të hanë fëmijët. Ndikimi i tyre është më i shprehur kur është fjala për ushqimin e shpejtë, gjë që nuk është absolutisht e pranueshme, tërheqin vërejtjen shkencëtarët amerikanë. Pas hulumtimit të hollësishëm, në të cilin kanë marrë pjesë 3.292 fëmijë dhe pas studimit të 45 studimeve paraprake, është konstatuar që ekspozimi më i madh i reklamave është i lidhur me grumbullimin e kilogramëve të tepërt jo vetëm te fëmijët tashmë obezë, por edhe te vogëlushët thatanikë. E dhënë brengosëse është që në prirje ndaj ushqimit të caktuar ndikim më të madh ka përjetimi vizual nga reklamat sesa aroma e ushqimit të vërtetë, ka treguar hulumtimi i bërë në Universitetin Yale. Reklamat, pos të tjerave, fëmijëve ju shpeshtojnë paragjykimet dhe i largojnë nga shokët. Po ashtu, Akademia Amerikane e Pediatrisë ka realizuar një hulumtim te fëmijët e moshave nga 6 deri në 13 vjeç, ndërsa rezultatet kanë treguar se reklamat për ushqim të shpejtë dhe ëmbëlsira zgjonin urinë e fëmijëve për këto produkte. Reklamat mund t’i sëmurin fëmijët nga obeziteti deri tek anoreksia. Për këtë arsye, ekspertët ju propozojnë prindërve të kontrollojnë përmbajtjen e asaj se çfarë shikon fëmija në televizor, që i referohet reklamave.