Vjollca SADIKU, Dibër
Dibër, 7 prill – Në Komunën e Dibrës vazhdojnë të arrijnë ndihmat humanitare nga shumë organizata, shoqata, biznesmenë dhe individë. Aktualisht në komunë janë ndarë ndihma për mbi 500 familje, theksoi kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, shkruan gazeta KOHA. Ai shtoi se ndarja e ndihmave bëhet në përputhje me listën që është përgatitur nga Shtabi komunal, shoqatat qytetare humanitare si dhe Qendra për Punë Sociale në Dibër.
“Me qëllim që të mos ketë manipulime dhe reagime, deri tani ndihmat ndahen nga koordinatorët e shoqatave dhe ata respektojnë tërësisht listën e përbashkët në të cilën gjenden familjet me probleme sociale”, tha Duka, ndërsa sqaroi se përveç ndihmave që kanë arritur, janë paralajmëruar edhe ndihma të tjera. Ndihmat kryesisht janë artikuj ushqimor si miell, vaj, sheqer, por edhe ndihma në preperate për mirëmbajtje të higjienës personale dhe familjare.
Organizata e Kryqit të Kuq komunal në Dibër në koordinim me Shtabin operativ po ashtu ndan ndihma për familjet në nevojë. Sekretari i kësaj organizate, Isni Telqiu, thotë se respektohet mënyra e ndarjes të ndihmave dhe çdo gjë realizohet pa problem. (koha.mk)