Prishtinë, 18 mars – Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjen e Narkotikëve, Kirsten D.Madison do të vizitojë sot Kosovën ku do të bëjë dorëzimin e një donacioni për Agjencinë kosovare të Forenzikës.
Ndryshe, siç citon “Kosovapress”, vizita e saj u paralajmërua ditë më parë, ku ndër të tjerash u bë e ditur se Madison do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, zyrtarë të Policisë së Kosovës, të Ministrisë së Drejtësisë, të Shërbimit Korrektues dhe anëtarë të shoqërisë civile, në mënyrë që të nxisin reformën në drejtësi dhe në zbatimin e ligjit në Kosovë.
Zyrtarja e shtetit Amerikan para se të vizitojë Kosovën, do të jetë kryesuese e një delegacioni amerikan që do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Komisionit të 62-të për drogat në Vjenë. Delegacioni i SHBA-së do të përfshijë përfaqësues të Departamentit të Drejtësisë, Administratës për Narkotikët, Departamentit e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Administratën e Ushqimit dhe Barnave si dhe Zyrën e Shtëpisë së Bardhë të Politikës Kombëtare të Kontrollit të Drogës.
Në Kosovë gjatë ditëve të kaluara për vizitë ishin edhe zyrtarë të tjerë amerikanë, por që temë diskutimi e vizitës së tyre ishte aktualiteti politik.