Urim HASIPI
Tetovë, 15 qershor – Familja Iseni nga fshati Trebosh i Tetovës tash e disa vite jeton me qira në Tetovë, për shkak se ende nuk ka kulm mbi kokë. Shtëpinë, të cilën kryefamiljari Isen Iseni filloi ta ndërtojë para dy viteve, të njëjtën ende nuk e ka përfunduar, shkruan gazeta KOHA. Ai thekson se shtëpia të cilën deri më tani ka arritur ta ndërtojë të njëjtën e ka bërë me ndihmë të qytetarëve, biznesmenëve dhe shoqatave të ndryshme. Deri tash ka arritur të ndërtojë formën karabina, ndërsa i mungojnë dyert, dritaret dhe instalimi i rrjetit elektrik. Ai falënderon të gjitha ato firma të cilët materialin ndërtimor për ndërtimin e shtëpisë ia kishin ofruar falas, pas sensibilizimit për vështirësitë e tij ekonomike. “Tash deri diku me ndihmën e shumë dashamirëve jam në përfundim të ndërtimit të shtëpisë, por nevojiten dyert, dritaret dhe sende tjera të nevojshme për brenda në shtëpi. Prandaj, lus të gjithë bamirësit që kanë mundësi të më ndihmojnë për të pasur të paktën një shtëpi të vogël për të strehuar fëmijët ”, thotë Iseni.
Ai në pamundësi për të siguruar mjete financiare për të pasur një kulm mbi kokë për vete dhe familjen e tij jeton me qira në një banesë në Tetovë pa kurrfarë të ardhura materiale, përveç ndihmës sociale. Ai apelon që të ndihmohet për të përfunduar shtëpinë që të shmangë pagesën e qirasë. Krahas problemeve sociale me të cilët përballet kjo familje, po ashtu sëmundja e vajzës së vogël Amelës e rëndon edhe më shumë situatën. Amela që në fëmijëri ka pasur probleme me veshkat dhe mjekimi është tepër i shtrenjtë.
“Apeloj deri tek të gjithë ata njerëz bamirës, zemërgjerë, human, organizatat humanitare për të më ndihmuar që edhe unë të kem një kulm mbi kokë, ku do të jetoj me familjen, por edhe për të mjekuar vajzën e cila tanimë një kohë të gjatë vuan nga veshkat. Më duhet që për kontroll ta dërgoj në Klinikat e Shkupit, nuk kam mundësi për t’i mbuluar as edhe shpenzimet e rrugës, ilaçet që i nevojiten vajzës për mjekim”, shprehet ai. Iseni nënvizon se disa shoqata janë duke bërë tentime që të dërgojnë jashtë shtetit vajzën për shërim. Terapia e vajzës kushton shumë”, thotë kryefamiljari, duke shtuar se një kuti me qumësht kushton 45 euro, ndërsa të njëjtën vajza. Amela e harxhon për tre ditë që është një ngarkesë e madhe për atë si prind.
“Me një ndihmë të vogël sociale çka të siguroj më përpara, ushqim për familjen, faturat tjera, qumësht për Amelën. Kjo ndihmë nuk më del vetëm për qumështin e ku për sendet tjera. Është shumë rëndë të shohësh fëmijën në shtrat dhe të mos mundësh t’i ndihmosh. Amela ende pa i mbushur një vit kishte probleme dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Një terapi i kushton 4000 denarë, kurse qumështi veçmas. Ku t’i siguroj ato të holla. Qumështin duhet me porosi të ma sjellin edhe atje është shtrenjtë 45 euro një kuti. Vetëm unë dhe bashkëshortja e dimë se si mbijetojmë”, tregon Isen Iseni, prindi i Amelës, i cili ndonëse e ka vështirë megjithatë. Për t’i ndihmuar kësaj familje mund të paraqiteni në numrin e telefonit 071-943 208. (koha.mk)