Reaguan edhe prindërit të cilët thonë se fëmijët e tyre e kanë vështirë të adaptohen me mësimdhënëset të cilët duhet të zëvendësojnë ato paraprake. Ende nuk ka numër të saktë se sa mësimdhënësve u ka skaduar kontrata dhe do të duhet që të zëvendësohen me kuadro të reja
Urim HASIPI
Tetovë, 8 shtator – Zhvillimet e fundit nëpër shkollat e Tetovës lidhur me mos vazhdimin e kontratave për mësimdhënësit, ka reaguar Sindikata e Arsimit dhe Shkencës në Tetovë. Sipas sindikatës, në adresë të tyre ka shumë ankesa nga mësimdhënësit të cilët janë në pritje se çka do të ndodhë pasi që në vend të tyre pritet të vijnë mësimdhënës tjerë. “Nuk është mirë për fëmijët, nuk është mirë për mësimdhënësit dhe nuk është mirë për sistemin arsimor në vend që të gjithnjë të ketë ndryshim të kuadrit arsimor. Po, duhet të sillen kuadro të reja, por ato që janë në këtë proces duhet të mbrohen dhe Sindikata është e gatshme që t`iu del në ndihmë atyre duke ju dhënë ndihmë juridike”, tha Zoran Gerkovski, nga Sindikata e Arsimit dhe Shkencës në Tetovë.
Ndërkohë, lidhur me uljen e numrit të nxënësve nëpër shumë shkolla, ai thotë se shteti duhet që të gjejë vende për ata mësimdhënës që janë mund të mbeten pa vend pune. “Kemi shkolla ku ulet numri i nxënësve dhe kemi më pak paralele, automatikisht kemi të bëjmë edhe me tepricë teknologjike. Nga ana e Ministrit është thënë se ata mësimdhënës nuk do të mbeten pa punë, por do të transferohen nga një shkollë në shkollë tjetër. Kjo është pozitive sidomos për rata që kanë përvojë pune mbi 20 vite, prandaj vlerësojmë se secili që punon në arsim duhet që të mbetet me qëllim që njerëzit mos mbeten në rrugë”, tha Gerkovski.
Bilall Kasami kryetar i komunës së Tetovës, tha se çështja me procesin arsimor nuk duhet që të politizohet dhe opinioni të mos dezinformohet. “Me 31 gusht të gjitha kontratat e përkohshme të atyre që kanë qenë të angazhuar në arsim kanë mbaruar dhe ata e kanë ditur nga momenti i nënshkrimit të kontratës kur iu mbaron kontrata. Drejtoritë e shkollave kanë përgjegjësinë e plotë që të vendosin se cilët do të jenë angazhimet nga 1 shtatori dhe cilat janë angazhimet më të mira për procesin arsimor dhe në interes të nxënësve”, tha Kasami.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës reagon ndaj vendimeve të kryetarit të Komunës së Tetovës për mos vazhdimin e kontratave të disa mësimdhënësve nga shkollat e kësaj komune, për shkak të asaj që iu raportua si papërshtatshmëri politike, e cila prish vazhdimësinë e procesit arsimor, nga njëra anë krijohen dëme në njohuritë e nxënësve dhe nga ana tjetër degradohet profesioni i mësimdhënësit, zhvlerësohet profesionalizmi dhe përkushtimi i punonjësve arsimorë. “Ju bëjmë thirrje të gjithë kryetarëve të komunave që të vazhdojnë të bashkëpunojnë me institucionet arsimore lokale, të mbështesin punën e tyre dhe të mundësojnë realizimin e pandërprerë të mësimdhënies”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Reaguan edhe prindërit të cilët thonë se fëmijët e tyre e kanë vështirë të adaptohen me mësimdhënëset të cilët duhet të zëvendësojnë ato paraprake. Ende nuk ka numër të saktë se sa mësimdhënësve u ka skaduar kontrata dhe do të duhet që të zëvendësohen me kuadro të reja. (koha.mk)