Prioritetet si më parë, me zbatimin e masave kundër krizës, mbeten të njëjtat dhe kjo është ruajtja e çdo vendi pune dhe mbështetja e ekonomisë dhe qytetarëve për tejkalimin më të lehtë të krizës dhe hyrja në periudhën e pas krizës, e cila do të pasohet nga rritja dhe zhvillimi i ekonomisë në vendin dhe përmirësimin e standardeve të jetesës së qytetarëve
Bisedoi: Berand REXHEPI
Shkup, 14 Shtator – Me pakon e re të masave ekonomike do të vazhdojmë me krijimin e të ekonomisë së zhvillimit vendor dhe jam i bindur se do t’ia dali me sukses. Masat do të përcaktohen përmes një procesi gjithëpërfshirës të konsultimit me komunitetin e biznesit dhe do t’i përgjigjen nevojave të ekonomisë dhe qytetarëve. Ekonomia dhe qytetarët me padurim presin pakon e re të masave që paralajmëroi Qeveria dhe të cilën siç thotë në këtë intervistë zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, do të prezantohet së shpejti. Bytyqi gjithashtu thekson se përparësitë sikurse deri më tani, me zbatimin e masave kundër krizës, mbeten të njëjtat – e kjo është ruajtja e çdo vendi pune dhe mbështetja e ekonomisë dhe qytetarëve për tejkalimin më të lehtë të krizës dhe hyrjen në periudhën pas krizës në të cilën do të vijojë rritja dhe zhvillimi. Në këtë intervistë, ai trajton edhe tema të tjera aktuale – pse nuk ka ministër për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe si do të jetë politika e Qeverisë ndaj kësaj problematike, pastaj për numrin e mirëfilltë të qytetarëve të cilët për shkak të krizës kanë mbetur papunë, si dhe sa mjete financiare do të kërkohen për të zbatuar masat dhe a do të jetë e domosdoshme një huamarrje e re.
KOHA: Qeveria e re kishte një seri takimesh me biznesin përkatësisht me Odat ekonomike. Pas këtyre takimeve në Qeveri, a keni një ide më të qartë se çfarë i duhet ekonomisë për ta tejkaluar krizën e shkaktuar nga Covid-19, cilat do të jenë përparësitë?
BYTYQI: Komunikimi dhe koordinimi i drejtpërdrejtë me të gjithë palët e përfshira është një nga postulatet themelore të kësaj Qeverie dhe ato kanë qenë të vazhdueshme në tre vitet e fundit, e sidomos të intensifikuar gjatë shpalljes së pandemisë. Kështu vazhdojnë edhe sot e kësaj dite dhe do të vazhdojnë për të pasur një pasqyrë më të qartë të situatës me ekonominë vendore, e cila do të jetë pikënisja në krijimin e masave kundër krizës, por edhe politikat ekonomike në të ardhmen. Që në javën e parë të formimit të Qeverisë, ne patëm takime me të gjithë faktorët relevant të ekonomisë, Odat ekonomike dhe u mbajt një seancë e Këshillit Ekonomik dhe Social në të cilin marrin pjesë sindikatat dhe organizata e punëdhënësve. Prioritetet si më parë, me zbatimin e masave kundër krizës, mbeten të njëjtat dhe kjo është ruajtja e çdo vendi pune dhe mbështetja e ekonomisë dhe qytetarëve për tejkalimin më të lehtë të krizës dhe hyrja në periudhën e pas krizës, e cila do të pasohet nga rritja dhe zhvillimi i ekonomisë në vendin dhe përmirësimin e standardeve të jetesës së qytetarëve.
KOHA: Qeveria premton një politikë ekonomike të qëndrueshme dhe të parashikueshme, taksa të ulëta, luftë kundër ekonomisë gri, që janë edhe kërkesat e ekonomisë. Mirëpo, kompanitë theksojnë se kanë nevojë për mbështetje urgjente financiare për shkak të likuiditetit të dobët. Çfarë do të bëjë Qeveria në lidhje me këtë, a ka krijuar tashmë disa masa të destinuara për kompanitë?
BYTYQI: Para së gjithash, përparësia duhet t’i përshtatet situatës aktuale me krizën me Koronën, sepse globalisht gjeneron paparashikueshmëri. Kjo do të thotë se i gjithë fokusi ynë është në plotësimin e nevojave të qytetarëve dhe ekonomisë për ta tejkaluar krizën. Politika e qëndrueshme dhe e parashikueshme e taksave me taksa të ulëta, si dhe lufta parimore kundër ekonomisë gri mbeten përparësitë kryesore të kësaj Qeverie. Pakoja e katërt e masave për të mbështetur ekonominë vendore, si dhe më të prekurit gjatë kësaj periudhe krize do të përcaktohet për një periudhë relativisht të shkurtër, por vetëm pasi të analizohen efektet e tri pakove të mëparshme. Pakoja e re do të përmbajë masa që do të përfshijë kompanitë dhe qytetarët që janë më të prekurit.
KOHA: Kur mund të pritet që Qeveria të dalë me masa konkrete për të mbështetur ekonominë, a do të jenë ato të përgjithshme apo do të synojnë sektorët më të prekur?
BYTYQI: Qeveria tashmë ka miratuar tri pako të masave ekonomike kundër krizës për të ndihmuar qytetarët dhe ekonominë, dy pakot e para që synojnë të zbusin goditjen e parë të krizës socio-ekonomike të shkaktuar nga Kovid-19, për të mbrojtur punët e qytetarëve dhe garantuar likuiditetin e biznesit. Në pakon e tretë të masave ne u përqendruam në zhvillim, në koordinim me të gjitha palët e përfshira në ekonomi krijuam një pako masash që siguruan se do të gjenim një mënyrë për ta kthyer këtë periudhë krize në një hapësirë për transformim dhe përshtatje të ekonomisë me situatën aktuale. Me pakon tjetër të masave ekonomike ne do të vazhdojmë të krijojmë një ekonomi të zhvillimit vendor dhe jam i bindur se me sukses do t’ia dalim. Në fillim të krizës, as ne dhe as ndonjë ekonomi tjetër në botë nuk mund të kishim parashikuar se çfarë do të ndodhte saktësisht, por ajo që është e rëndësishme është se ne reaguam me kohë, siç duhet me një gjithëpërfshirje. Tani kemi një situatë pak më ndryshe, kemi parametra sipas të cilëve mund të udhëhiqemi, të krahasojmë dhe të përmirësohemi aty ku është e nevojshme, kjo na jep mbështetje në krijimin e një pako të re masash, të cilën e përgatisim sërish me dialog të hapur dhe konsultim me të gjitha palët e përfshira, të tilla siç janë odat ekonomike, sindikatat, punëdhënësit dhe qytetarët. Pakoja e katërt e masave do të definohet përmes një procesi gjithëpërfshirës të konsultimit me komunitetin e biznesit dhe masat sigurisht do t’i përgjigjen nevojave të ekonomisë dhe qytetarëve. Ne jemi duke punuar në mënyrë aktive dhe të përkushtuar në pakon e re të masave ekonomike dhe do ta promovojmë së shpejti, ndihma do të arrijë kudo që të jetë e nevojshme dhe në kohën kur është e nevojshme.
KOHA: Në takimet me Odat ekonomike, u tha se Qeveria disponon me një “rezervuar” prej 200 milionë eurosh. A është kjo shuma që do të jetë korniza për grupin e katërt të masave ekonomike, apo do të nevojiten huamarrje të tjera për të mbajtur ekonominë në formë?
BYTYQI: Qeveria qëndron fuqishëm në fjalën e saj të dhënë para odave ekonomike, si dhe për gjithçka tjetër që u ka premtuar qytetarëve. Në këtë rast, “rezervuari” prej rreth 200 milionë eurosh është vlerësimi fillestar se sa do të nevojiten për të definuar masat e pakos së katërt. Por, duhet të theksoj se jemi akoma në gjysmë të rrugës për përcaktimin e shumës për të gjithë pakon, duke marrë parasysh që jemi në procesin e përcaktimit të përparësive dhe degëve më të prekura që duhet të mbulohen nga kjo pako e katërt e masave. Çdo huamarrje e mundshme do të ndodhte vetëm nga domosdoshmëria, megjithëse deri më tani nuk kemi tregues të tillë, përkatësisht ka shumë të ngjarë të jemi në gjendje të zbatojmë masat me performancën aktuale të anës së të ardhurave të buxhetit.
KOHA: Kryeministri Zaev tha se Qeveria do të luftojë për çdo vend punë. Por, ka shifra shumë të ndryshme për numrin e atyre që kanë humbur punën gjatë krizës. A keni ndonjë analizë konkrete se sa njerëz janë prekur dhe çfarë mund të bëhet për ta ruajtur atë numër në minimum?
BYTYQI: Para fillimit të krizës, në fund të tremujorit të parë të vitit 2020, historikisht kemi pasur shkallën më të ulët të papunësisë me 16.2 për qind dhe sipas të dhënave të fundit nga fundi i tremujorit të dytë të vitit 2020 ajo është rritur në 16.7 për qind. Rritja e papunësisë me 0.5 pikë përqindjeje është një nga rezultatet më të mira krahasuar me vendet e BE-së që kanë publikuar këto statistika. Ky rezultat na jep konfirmimin se kemi arritur maksimalisht të kursejmë vende pune në një periudhë të tillë krize. Fatkeqësisht, në krizë, disa nga qytetarët tanë humbën vendet e tyre të punës, por lufta për të ruajtur çdo vend pune ishte dhe mbetet një përparësi. Ekonomia e re e zhvillimit do të sjellë rritje dhe zhvillim të ekonomisë dhe kështu krijimin e vendeve të reja të punës që sigurisht do të çojë në uljen e shkallës së papunësisë në numër një shifror dhe një rritje të standardit të jetesës së qytetarëve. Ndjej nevojën për të theksuar se në të kaluarën, që nga fillimi i krizës, opozita ka spekuluar mbi numrin e vendeve të punës të humbura. Kjo nuk i ndihmon askujt, përkundrazi, krijon vetëm një imazh të rrejshëm dhe mbjellë panik tek qytetarët, që është e papërgjegjshme. Në vend që të llogariten vetëm punëtorët e regjistruar nga të dhënat e Agjencisë së Punësimit, opozita gjithashtu duhet të dijë që në të njëjtën periudhë ka qytetarë që raportojnë punësim, kështu që dalja e përgjithshme është diferenca midis të regjistruarve dhe atyre që kanë humbur vendet e punës. Sigurisht, vendet e punës nuk janë shifra statistikore, por jetë dhe fate njerëzish, për të cilat në periudhën e ardhshme ne do të investojmë plotësisht në luftën për kthimin e atyre qytetarëve në tregun e punës.
KOHA: Opozita kritikon mos emërimin e një ministri të investimeve të huaja. Duke pasur parasysh që si zëvendës kryeministër për çështjet ekonomike ju koordinoni të gjitha departamentet ekonomike, cila do të jetë politika e Qeverisë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe a po humb vendi me të vërtetë ritmin me vendet fqinje?
BYTYQI: Me formimin e Qeverisë së re, ka ndodhur një riorganizim i sistemit, i cili duhet të sigurojë që ne do të jemi në gjendje të veprojmë në mënyrë efektive dhe efikase. Një risi është qasja për koordinimin e investitorëve të huaj të mundshëm, ajo do të koordinohet në nivelin më të lartë nga Kabineti i kryeministrit, Zoran Zaev, ku do të themelohet një Drejtori, si dhe nga Kabineti i zëvendëskryeministrit për çështjet ekonomike. Për ne, investimet e huaja janë një nga shtyllat e ekonomisë së re maqedonase të zhvillimit. Gjithsesi, ne nuk i harrojmë investitorët tanë vendor të cilët do të kenë të gjitha përfitimet që kanë investitorët e huaj. Kjo ka qenë dhe do të mbetet qasja jonë e qeverisjes, të gjithë ata që mund të kontribuojnë në zhvillimin më të madh ekonomik janë të rëndësishëm dhe kanë mundësi të barabarta. Njëkohësisht, ne po punojmë me angazhim maksimal në terren për problemet aktuale të atyre investitorëve që tashmë punojnë në vend, në mënyrë që të përmirësojmë infrastrukturën në zona, por edhe të përmirësojmë të gjitha kapacitetet e tjera që lidhen me tërheqjen e investimeve. Grupi i rregulloreve të brendshme dhe sistemi i parashikueshëm i taksave kanë një ndikim të madh këtu, të cilat janë segmente për të cilat do të punohet me më shumë aktivet, që të përmirësohet klima e investimeve në vend.