Zejnulla VESELI
Shkup, 10 nëntor – Zvogëlimi i varfërisë në Maqedoni është i mundur vetëm nëse Qeveria do të fillonte me zbatimin e metodës së të hyrave minimale të garantuara për bartësit e ndihmave sociale, duke e ulur kështu shkallën e varfërisë nga 25.3 për qind sa është për momentin në 22 për qind. Kështu mendojnë një grup hulumtues – ekspertë ekonomik në kuadër të projektit “Fiskast”, shkruan gazeta KOHA. Sipas autorëve të studimit të quajtur “Të hyrat minimale garantuese për familjet që jetojnë nën pragun e varfërisë”, zvogëlimi i varfërisë duhet të paraprijë me ndryshimin e plotë apo zgjidhje të re të sistemit të tanishëm se si ndahen ndihmat sociale. Autorët e këtij studimi vlerësojnë se ashtu siç është i strukturuar sistemi aktual, aspak nuk kontribuon në zvogëlimin e numrit të amvisërive të varfra dhe aspak nuk i nxit bartësit e ndihmave sociale të kërkojnë punë. Profesoresha universitare, njëherësh dhe autore e studimit, Nikica Mojsovska Bllazhevski, thotë se për momentin janë 110.575 amvisëri që marrin ndihma sociale dhe për këtë shteti – ndanë 96 milionë euro në vit apo 1 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor. “Sipas përvojës sonë, deri më sot modeli ekzistues i ndihmave sociale vetëm për 4 për qind e zvogëlon varfërinë në Maqedoni. Kjo do të thotë se ky model ka shumë pak efekte, sepse shumat që marrin amvisëritë si ndihma sociale, janë të ulta dhe aspak nuk kanë impakt që këto amvisëri të dalin nga varfëria. Deri më sot, asnjë Qeveri nuk ka marrë hapa konkret për zvogëlimin e varfërisë apo ndryshimin e sistemit për shpërndarjen e ndihmave sociale, prandaj ne – përpiluesit e këtij studimi, themi se sistemit për shpërndarjen e ndihmave sociale i duhet remont. Ofrojmë tre propozime të sigurta dhe secili prej këtyre tre propozime do ta pranohej Qeveria, do të përfundonte me më shumë efekte pozitive – në njërën anë në zvogëlim të varfërisë dhe në anën tjetër – do t’i motivonte bartësit e ndihmave sociale të gjejnë punë”, tha Mojsovska Bllashevski. Edhe profesori universitar Marjan Petreski, gjithashtu autor i këtij studimi, tha se të tre modelet që ata i propozojnë, dukshëm do ta ulin varfërinë deri më 22 për qind apo për 10 për qind më pak se sa është për momentin. “Me modelet që ne propozojmë, të hyrat e garantuara minimale nga ndihmat sociale jetën e një familje katër antarëshe e përmirëson për 5 për qind, ndërsa modeli aktual ka ndikim vetëm 2 për qind dhe nëse në të ardhmen punësohet njëri anëtar i familjes, ndihma sociale humbet. Mirëpo, nëse shteti do të zbatonte modelin e të hyrave minimale të garantuara dhe punësohet një anëtar i familjes, bartës i ndihmave sociale me orar të plotë të punës dhe merr rrogë minimale prej 12.000 denarë, atëherë kjo familje katër antarëshe do të vazhdojë të marrë edhe 3300 denarë ndihmë sociale dhe me këtë – do të ketë të hyra mujore prej 15.300 denarë që do të jenë para të mjaftueshme për të bërë një jetë më të mirë një familje katër anëtarshe”, tha Peterski. Kreatorët e këtyre tre modeleve shprehen të bindur se me zbatimin e njërit model, do të eliminoheshin të gjitha mangësitë nëse shteti do t’i fillonte me zbatimin e të hyrave minimale të garantuara. Sipas tyre, modeli i parë parasheh që të hyrat minimale të garantuar për një familje me dy prindër dhe dy fëmijë të jetë 10.800 denarë, ndërsa modeli i dytë garanton të hyra minimale në vlerë prej 9600 denarë për familje katër anëtarëshe. Modeli i tretë do ti përfshinte të gjitha amvisëritë që kanë të hyra më pak se 15.300 denarë të hyra, e që sipas statistikave – janë të mjaftueshme dhe kënaqin të gjitha nevojat e një familje katër anëtarëshe. “Pra, nëse Qeveria do të pranonte modelin e tretë, atëherë të gjitha familjet që kanë të hyra minimale prej 12.000 mijë denarë plus 3300 denare të hyra plotësuese si ndihmë sociale, atëherë këto familje do të kenë para të mjaftueshme për të pasur një jetë me të mirë”, deklaruan autorët e studimit “Të hyrat minimale garantuese për familjet që jetojnë nën pragun e varfërisë”. (koha.mk)