Tetovë, 16 shkurt – Automjetet e ndihmës së shpejtë janë duke u përballur me një dukuri të pazakonshme. Vetura të parkuara si brenda poashtu edhe jashtë hapësirave të Spitalit Klinik të Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Në rast urgjente, këto automjete nuk mund të arrijnë në kohë në vendngjarje si pasojë e kaosit që krijohet me veturat e parkuara në rrugën “29 nëntori” dhe përballë objektit ku janë të stacionuara automjetet e Ndihmës së Shpejtë.
Vozitësit e automjeteve të ndihmës së shpejtë potencojnë se për të dalë dhe për të hyrë në hapësirat e Spitalit Klinik të Tetovës, është shumë vështirë, sepse veturat kanë zënë rrugën në të cilët duhet të qarkullojnë ata. Drejtori i Repartit të Ndihmës së Shpejtë, Afrim Aliu, thekson nevojën e hapjes së një hyrje të re për automjetet e ndihmës së shpejtë për të shmangur këtë kaos. “Automjetet e Ndihmës së Shpejtë shpeshherë hasin në vështirësi për tu përgjigjur në thirrjet urgjente që vijnë nga terren apo gjatë kthimit nga veturat e parkuara si jashtë, po ashtu edhe brenda. Ne si zgjidhje kërkojmë të hapet një hyrje e re enkas për automjetet e Ndihmës së Shpejtë që të jemi sa më efikas”, tha Aliu. Në ndërkohë, problemi krijohet në hyrjen kryesore të Spitalit Klinik të Tetovës, ku edhe veturat edhe automjetet e Ndihmës së Shpejtë shfrytëzojnë këtë hyrje që shpeshherë krijon kaos në këtë vend.
Nga ana e policisë rrugore pranojnë se në këtë pjesë të qytetit ka shumë automjete, ndërsa pika pagesore mund të pranojë vetëm një veturë që krijon pritje në radhë dhe praktikisht e rëndon komunikacionin në rrugën 29 nëntori.
“Mundohemi të intervenojmë aq sa mundemi që të largojmë veturat që janë jashtë në rrugë përmes merimangës. Është shumë e stërngarkuar, por kjo vjen si pasojë e pikës së pagesës ku aty krijohet e tërë situata, dhe derisa të merret bileta dhe të mundësohet që vozitësi të hyjë brenda, jashtë krijohet tollovi”, thotë Besir Qamili, zëvendëskryeshef i Stacionit për Siguri në komunikacionin rrugor në Tetovë. (koha.mk)