Ideja është të formohet një partneritet publiko-privat, ndërsa studimi duhet të tregojë nëse një model i tillë për këto dy shërbime mund të funksionojë edhe në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë thotë se po kërkojnë një mënyrë për të përmirësuar situatën me Ndihmën e Shpejtë, prandaj po shqyrtohen modelet e partneritetit publiko-privat nga disa vende evropiane
Delvina KËRLUKU
Shkup, 30 nëntor – Zërat se ndihma e shpejtë dhe vizita mjekësore në shtëpi do të “privatizohen” janë konfirmuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Masat për studimin e fizibilitetit nëse ekziston justifikimi për sektorin privat për të financuar dhe menaxhuar këtë aktivitet shëndetësor tashmë kanë filluar. Ideja është të formohet një partneritet publiko-privat, ndërsa studimi duhet të tregojë nëse një model i tillë për këto dy shërbime mund të funksionojë edhe në vendin tonë, shkruan gazeta KOHA. Ministria e Shëndetësisë thotë se po kërkojnë një mënyrë për të përmirësuar situatën me Ndihmën e Shpejtë, prandaj po shqyrtohen modelet e partneritetit publiko-privat nga disa vende evropiane.
Ky model, sipas ministrisë, ka funksionuar për 20 vite të fundit në shumicën e vendeve e zhvilluara evropiane, por dhe në disa vende që janë në zhvillim të lartë. Studimi i fizibilitetit, thonë në Ministrinë e Shëndetësisë, duhet të tregojë nëse ky model i partneritetit publiko-privat, i cili punon në vende të tjera, është i mundur të funksionojë edhe në vendin tonë.
“Shëndeti publik vitet e fundit ka treguar rezultate të dobëta në menaxhimin e kujdesit mjekësor emergjent. Prandaj, tani po kërkojmë mënyra për të përmirësuar situatën dhe për të ofruar kushte më të mira për qytetarët”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë. Ata shtojnë se pas përfundimit të studimit, do të dihet se si do të funksiononte ky partneritet dhe nëse kostot e përfshirjes në Ndihmën e Shpejtë do të mbuloheshin nga vet pacientët. “Ministria e Shëndetësisë, pas rezultateve të analizës, do të organizojë një debat publik, në të cilin do të paraqiten rezultatet dhe së bashku me publikun e ekspertëve, do të vendoset për zgjidhjen më të mirë”.
Ministri Venko Filipçe siguron se, sistemi në të cilin po mendohet të kalojë Ndihma e Shpejtë, do të sjellë përfitime të dyanshme. “Bëhet fjalë për modelin e partneritetit publiko-privat, që paratë të cilat i investojmë në shëndetësinë publike për menaxhim më të mirë, bashkë me partnerët privat të sjellim ekspertizë, por dhe sistem më të mirë. Analizat tona madje tregojnë se më me efikasitet do të harxhohen edhe paratë e njëjta që harxhohen tanimë. Besoni se në ato vende të Evropës ku është praktikuar ky model, shumë mirë ka funksionuar, dukshëm është përmirësuar edhe shërbimi por edhe kualiteti i mbrojtjes shëndetësore. Ky nuk është model me të cilin ne do të shpejtojmë, por ka mekanizma me të cilat do të vërtetojmë nëse do të japin efekt të menjëhershëm dhe a do ta ndjejnë qytetarët këtë reformë”, thotë ministri Venklo Filipçe.
Mirëpo, ka mjekë që e kundërshtojnë këtë ide, por ka edhe të tjerë që e përkrahin. Sipas kryetarit të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni, dr.Nevzat Eelezi, shërbimi i Ndihmës së Shpejtë në Maqedoni nuk ka qenë efikas dhe këtë e kanë treguar të dhënat zyrtare, por për funksionim më të mirë e të shpejtë, ai kërkon të ndërmerren masa të reja. “Në princip, ideja për privatizim është shumë e mirë, megjithëse akoma nuk kemi një program për këtë lloj të privatizimit. Nëse bëhet fjalë për këta ekzistues, nuk do të ketë sukses. Mbi 50 për qind e popullatës me sistemin e vjetër nuk ka qenë e mbuluar si duhet, në veçanti në vendet rurale, e mos flasim për vendbanimet malore. Prandaj duhet konkurruar me një hartë topografike dhe me qendra paraprakisht të caktuara nga dhe se si do të funksionon”, tha për KOHA, dr.Elezi.
Nga Ndihma e Shpejtë në Tetovë thonë se megjithatë, Maqedonia nuk ka kapacitete për mbulimin e privatizimit të Ndihmës së Shpejtë. “Shëndetësia jonë nuk është në atë nivel sa të bëhet krahasim me shëndetësinë italiane. Për t’u bërë i njëjti veprim sikurse në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, duhet të jenë të pranishme edhe standardet e BE-së”, tha për KOHA, doktor Afrim Aliu nga Ndihma e Shpejtë e Tetovës. Disa qytetarë e përkrahin këtë iniciativë, pasi mendojnë se shëndeti publik gjatë viteve të fundit ka treguar mangësi dhe kjo është një mënyrë e duhur për intervenimin dhe arritjen më të shpejtë të nidhma shëndetësore. Të tjerët thonë se janë kundër, sepse ndihma e shpejtë bie në mjekësinë primare dhe nuk mundet mjekësia primare të privatizohet.
Këtë ide e kundërshton edhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Mirjana Najçevska, e cila thotë se privatizimi i shërbimit të Ndihmës Mjekësore të Shpejtë do ta shkatërrojë edhe atë pak mbrojtje shëndetësore të qytetarëve. “Na duhet ministër i cili do ta përmirësojë sistemin e mbrojtjes shëndetësore, e jo ta shndërrojë atë në Pazar. Kjo ide do ta mbajë korrupsionin e metastazuar dhe atë mbrojtje shëndetësore të pakët që ka mbetur te qytetarët, do ta shkatërrojë. Si mundet një sipërmarrës, i cili dëshiron të përfitojë dhe të realizojë ekstra profit, të jetë më i miri në dhënien e shërbimit sesa institucioni shtetëror shëndetësor”, tha Najçevska. Në ndërkohë, idenë e privatizimit të Ndihmës së Shpejtë dhe vizitat shtëpiake e kanë kundërshtuar edhe disa nga partitë opozitare në vend, kryesisht ato maqedonase. (koha.mk)