Vjollca SADIKU
Dibër, 6 mars – Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, vite me radhë ka ndihmuar Komunën e Dibrës me shumë projekte. Janë projektet në sferën e infrastrukturës, mjedisit jetësor, kulturës dhe shoqërisë në përgjithësi. Po ashtu, kjo Agjenci ndihmoi edhe në trajnimin e shumë kuadrove profesionale në shumë sfera të jetës. Dibranët vlerësojnë maksimalisht ndihmën që ka dhënë SHBA me projektet të shumta që ndihmuan zhvillimin e Komunës Dibër.
Në sferën e infrastrukturës, një domethënie shumë të madhe për Dibrën dhe dibranët ka projekti për ndërtimin e rrugës të Liqenit. Kështu vlerëson arkitekti dhe aktivisti i shoqërisë civile, Gazmend Cami, i cili punon në sektorin për urbanizëm pranë Komunës Dibër shton se rruga e Liqenit, e cila ka një gjatësi prej afro 2 kilometra është një rrugë e financuar nga USAID. Bëhet fjalë për një projekt në sferën e infrastrukturës rrugore që mundëson lidhjen e qytetit me tregun e qytetit të Dibrës, por edhe një rekreim të qytetarëve të cilët maksimalisht shfrytëzojnë këtë rrugë. Ai thekson se projekti në fjalë ka hapur mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit dhe jetës sportive të qytetarëve. Cami po ashtu shton se projektet amerikane të realizuar në Dibër janë të shumta. Kur jemi tek aktivitetet në sferën e kulturës, para disa viteve pikërisht kjo Agjenci ka financuar një projekt për sanimin e sallës së koncerteve, që ka një domethënie shumë të madhe për kulturën. Po ashtu, sipas tij, është një numër i madh i projekteve që kanë të bëjnë me përkrahje teknike të pushtetit lokal, pastaj me pajisje po ashtu teknike, kurse në sferën e mbrojtjes së mjedisit jetësor ka ndihmuar projektin e Liqenit të Dibrës. Bëhet fjalë për realizimin e projektit Eko patrulla, nëpërmjet të së cilës është siguruar edhe një anije. Kur jemi te mjedisi jetësor me projektet e kësaj Agjencie amerikane është ndërtuar dhe është furnizuar me pajisje të ndryshme për fëmijë parku në vendbanimin Venec 1. Po ashtu nëpërmjet disa projekteve dhe granteve që ka siguruar USAID janë siguruar kontejnerë dhe kosha për mbeturina në shumë pjesë të qytetit të Dibrës. Grante nga kjo Agjenci kanë përfituar edhe institucione arsimore si edhe vendbanimet rurale. Projektet në fjalë të USAID-it përveç ndikimit pozitiv që kanë pasur në përmirësimin e infrastrukturës dhe në sferën e mbrojtjes së mjedisit jetësor, arsimit dhe kulturës, ka ndikuar shumë pozitivisht edhe në trajnimin e intelektualëve dibran në disa sfera. Bashkëbiseduesi ynë, Gazmend Cami, përndryshe i njohur si një ndër themeluesit e par të shoqatave joqeveritare në Dibër dhe si lider lokal i Shoqatës ekologjike “Deshati”, është një nga dibranët të cilët kanë pasur trajnime nëpërmjet USAID-it në SHBA. Ai thekson se bëhet fjalë për trajnim në sferën të zhvillimit të vullnetarizmit. “Kam marrë pjesë në trajnim së bashku me aktivistë të tjerë të këtij lëmi nga Maqedoni dhe nga trajnimi kanë përvetësuar dituri të shumta rreth vullnetarizmit dhe domethënies së tij. Këto përvoja i kam zbatuar gjatë aktiviteteve tona nëpër shoqatat jo qeveritare në Komunën e Dibrës”, na thotë Cami.
Edhe Afrim Kërkuti ka zhvilluar një trajnim nëpërmjet USAID në sferën e menaxhimit në institucione. Ai thotë se nga trajnimi në SHBA ka mësuar shumë dhe gjithmonë do t’i mbetet falënderues Agjensionit amerikan. Kërkuti thotë se në trajnimet në SHBA, sa u takon menaxherëve të institucioneve, një vëmendje e veçantë i kushtohet transparencës dhe aktiviteteve kundër korrupsionit. Nga ky trajnim të cilën e zhvillova në Uashington në vitin 2009, kam përvetësuar shumë përvoja të cilët më kanë ndihmuar në menaxhimin e sektorëve ku kam qenë i angazhuar. Përndryshe, pushteti vendor, organizatat joqeveritare si dhe bashkësitë lokale urbane dhe rurale, vlerësojnë lart donacionet që janë marrë nëpërmjet projekteve të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.