Krimi dhe dënimi, shpesh janë në shpërputhje midis tyre, sepse jo përherë gjykata mund të sjellë vendim “adekuat”, me gjithë dilemat ose mospajtime tona çka do të thotë një ndëshkim adekuat për një vepër. Masa “edukative” e një dënimi të tillë duhet t’i bëjë të tjerët të mendojnë se çka i pret nëse bëjnë krim…Kthimi i dënimit me vdekje që të vrasësh një vrasës të pashpirt, është një debat që nuk ka fund!
Nga Daut DAUTI
1.
Vrasja e gruas 35 vjeçare në Prishtinë, ka tronditur gjithë Kosovën dhe gjithë trojet shqiptare. Duke ngushëlluar viktimën, e duke akuzuar vrasësin, në këtë rast,(ish)burrin e saj për këtë akt makabër, shumë pyetje mbeten pa përgjigje. Vrasjet si kjo dhe aktet tjera ndaj jetës së njeriut, shpesh na kthejnë te tema e romanit të Dostojevskit, “Krim e ndëshkim”, apo edhe te librat e shenjtë. Sepse, nuk ka akt më kriminal se të marrësh jetë për asgjë, ose për ndonjë shkas banal, sepse njeriu nuk ka të drejtë të marrë jetë njeriu. Hetimet për rastin sigurisht do të nxjerrin në pah motivet. Nesër vrasësi do të marrë nga gjyqi një dënim asimetrik nga vlera e jetëve të këputura (edhe të atij cërrokut të vogël që priste dritën të shohë në atë spital ku u bë vrasja). Ndoshta shtatë vjet, ndoshta 10-12, po dhe 20 vjet. Prapë drejtësia nuk mund të kënaqet. Dikush nën dhe, e dikush pas ca vitesh në liri… Është ajo dilema e kamotshme, a është dënimi adekuat për krimin. Vetëm pak ditë më parë në Maqedoni u shqiptuan dënimet për vrasjen e hendbollistit kroat Denis Tot në një diskotekë të Shkupit. Familjarët e vrasësve thanë se 18 dhe 16 vjet “janë shumë” sepseata janë “të rinj”. Sigurisht deshën të thonë se vrasjen e kanë bërë nga axhamillëku. Krimi dhe dënimi, shpesh janë në s’përputhje midis tyre, sepse jo përherë gjykata mund të sjellë vendim “adekuat”, me gjithë dilemat ose mospajtime tona çka do të thotë një ndëshkim adekuat për një vepër. Çdo vrasje është e rëndë, por jo të gjitha vrasjet janë në rrethana dhe për motive të njëjta. Kur gjykojmë për vrasjen, nuk i dimë përherë rrethanat që i kanë paraprirë, raportet midis kryesit dhe viktimës dhe shumëçka tjetër. Pas çdo vrasje, përsëri mbetet ajo dilema: a meriton krimineli i pashpirt, të marrë një dënim me disa vjet burg dhe pasi ta vuajë atë të jetojë i lirë!? Sociologë, psikologë, kriminologë…do të nxjerrin shumë argumente “për” dhe “kundër”. Dhe, kuptohet, duhet marrë me seriozitet edhe ato mendime që thonë se dënimi me vdekje për disa lloje vrasjesh, është masa “e duhur”. Ndoshta është reagim në afekt, por kësaj vrasjes në Prishtinë, gazetari i njohur Milaim Zeka e ka kërkuar kthimin e dënimit me vdekje!Përderisa e aplikon një vend i zhvilluar si Japonia, pse të mos zbatohet edhe në Kosovë e Shqipëri, mendon ai. “Kot vajtoj më për ketë vrasje kaq te rëndë… E vetmja zgjidhje për Kosovën dhe Shqipërinë, është kthimi i dënimit me vdekje Japonia e ka, pse te mos e kemi ne”, ka komentuar ai.
Prej se është kurdisur bota, prej vëllezërve Kain dhe Abvel të Adamit, krimi është pjesë e shoqërisë njerëzore. Ndaj dhe ka ekzistuar edhe ndëshkimi i shoqërisë, përveç i ndëshkimit të Perëndisë që nënkuptohet. Duhet thënë se në kohën e tranzicionit çfarë po e kalojnë, janë shfaqur disa fenomene që nuk kanë ekzistuar më parë, si vrasja me tritol, vrasja me pagesë, vrasja për përfitime materiale, qërim hesapesh të nëntokës, etj, sidomos në Shqipëri. Zaten në Shqipëri, media shpesh i fillon edhe lajmet me këso rastesh dhe duket se tranzicioni atje është shumë më i kriminalizuar se në Kosovë apo Maqedoni.Sikur jeta ka vlerën më të ulët. Po dhe në disa vrasje, edhe ashtu është vlerësuar: është vrarë djaloshi për një biletë furgoni, ose babain e kanë vrarë djemtë për pesë a dhjetë euro që s’ua ka dhënë për të luajtur bixhoz!!! Kur ndodhin këso veprash dhe kur dihet vrasësi, kur gjyqi peshon mëkatin, gjithkush do të pyeste: kur dikush e çmon aq pak jetën e dikujt sa t’ia marrë atë pa i bërë syri “pët”, pse shoqëria të ketë mëshirë për jetën e tij?!
Masa “edukative” e një dënimi të tillë duhet t’i bëjë të tjerët të mendojnë se çka i pret nëse bëjnë krim. Që të mos mendojnë se mund të vrasin si pëllumba gline njerëz të gjallë dhe pastaj të kenë privilegjin të riedukohen. Do të riedukohen shumë më mirë ata potencialët tjerë kur të shohin se si përfundojnë “raskoljnikovët” e pamëshirshëm!Motoja e personazhit të Dostojevskit jep mesazhin e përtejkohshëm se gjithçka është e lejuar.
Nëse lexoni literaturë të fushës juridike, argumenti më i fortë kundër dënimit me vdekje është ai fetar: a ka të drejtë dikush, madje dhe shteti, t’i marrë jetën dikujt, sadoqë ai të ketë bërë dënim të rëndë? Ndërkaq nga aspekti juridik, një nga argumentet kryesore është çka nëse pas një ekzekutimi, paraqiten dëshmi se Personi X mund të mos ketë qenë kryesi i veprës?! Kështu, akti dehumanizues i një vrasjeje, haset me pengesat e natyrës etike dhe te fakti i papërsosshmërisë eventuale të një procesi gjyqësor.
Me gjithë këto dilema natyrash të ndryshme, preferohet që dënimi me vdekje të zëvendësohet me burgim të përjetshëm. Për njerëzit është shokuese kur një vrasës i dhjetëra personave dhe që ka pranuar veprën, siç ishte para disa vitesh Brejvik, dënohet me burgim të përjetshëm dhe tallet me gjithë shoqërinë, dhe “ilaçi” për te dhe të tjerët si ai, na duket se është te marrja e jetës së tij, edhe pse s’është as përafërsisht proporcional me jetët që ka shuar!
Në frymën e kohës moderne të shoqërive më humane, në BE është hequr krejtësisht dënimi me vdekje dhe ka qenë dhe mbetet si kusht për anëtarësim për vendet pretendente. P.sh. edhe vendet e ish-Jugosllavisë që e kanë pasur dënimin me vdekje, ndërkohë e kanë harmonizuar këtë çështje me kriteret e BE-së. Por, nuk është çështje e shkallës civilizuese të një shoqërie nëse e ka mbajtur apo jo dënimin me vdekje për krimet më të rënda. Këtë e kanë shtetet si Irani, Iraku, Kina, Pakistani, Guatemala, Somalia, Uzbekistani, Vietnami, Avganistani, Somalia, etj., që ndoshta do të kishin shërbyer si shembuj negativë, sepse disa prej tyre dënimin e kanë edhe për shkak të deliktit verbal, por kur këtë e kanë edhe 35 nga 50 shtete të SHBA-ve ose Japonia, atëherë vijmë prapë te arsyeshmëria për ta mbajtur si masë për veprat e rënda që dëshmohen katërçipërisht gjatë procesit hetimor.
2.
Nuk hiqen deri në fund të këtij viti, por në fund të vitit tjetër! Për vizat, lajmi i mirë nga Evropa, që deri tash e kishte mbajtur Kosovën të getoizuar për shkak të pengesës për të lëvizur lirshëm nëpër BE. Një premtim i kahershëm, por një jetësim i vonuar, siç u komentua në Kosovë e shqiptari.
Është një lajm i mirë, gjithsesi, si fund i ironisë së zvarritjes së paarsyeshme, duke i vënë vazhdimisht Kosovës kushte të reja dhe duke e prolonguar si në asnjë rast tjetër. Çështja e mos rrumbullakimit të procesit të shtetësisë, sigurisht ka ndikuar në skepticizmin evropian ndaj Kosovës, por dhe ka shtuar edhe dyshimet në Kosovë për qëllime jo të mira dhe për favorizim të Serbisë.
Kriteret për të cilat fliste BE-ja, janë përherë çështje percepcioni, sepse kushedi a i plotësojnë ato edhe vetë disa anëtare të saj. Por, qeveria kosovare, me gjithë kritikat ndaj administratës së BE-së për vonesën, u përpoq që të “poentojë” për të thënë se pengesa kryesore deri tash ka qenë lufta kundër korrupsionit. Që do të thotë se erdhi kjo qeveri dhe arriti rezultate konkrete në këtë fushë. Kjo dhe nuk është larg së vërtetës, sepse edhe gojëkëqinjtë do të kishin thënë se e vetmja gjë ku ka bërë diçka konkrete qeveria e Kurtit, është luftimi i këtij fenomeni.
Ajo që, megjithatë, duhet ta brengosë këtë qeveri dhe gjithë Kosovën, është e keqja që vjen pas kësaj të mire. Vetë heqja e vizave do t’u mundësojë kosovarëve që të lëvizin lirshëm e pa formalitete në drejtim të Evropës, por kjo do të shkaktojë një erupsion të emigrimit masiv, sidomos të rinisë e cila mezi pret të ikë e të kërkojë jetë më të mirë në perëndim. Kjo zaten ka ndodhë te të gjitha vendet e pazhvilluara ku u janë hequr vizat. Kështu, suksesi i kësaj qeverie, do të përshkohet me akuza se po ikë popullata prej Kosove nga ndjenja e paperspektivës (të njëjtën gjë e thoshte LVV-ja kur ishte në opozitë për qeveritë e mëhershme duke e kapitalizuar politikisht ikjen sadopak të ngadalshme) dhe sidomos me akuza për politikat e gabuara qeveritare si shkaktare.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)