Në turneun e “NextGen ATP Finales”, ku marrin pjesë tenistët e rinj më të mirë në botë, do të aplikohet për herë të parë teknologjia e “syrit të shqiponjës”. Që do të thotë se përveç gjyqtarit kryesor, që mban pikët dhe drejton lojën, nuk do të jenë në fushë gjyqtarët anësore ose të linjës, ata që shohin topin kur del jashtë vijës. Kjo teknologji e re do të aplikohet për herë të parë në këtë turne dhe pritet që në të ardhmen të shtrihet edhe në eveniment kryesore të tenisit në botë. Me sistemin e ri, kur topi del jashtë nuk do të jetë më gjyqtari që do të thotë “out” por kompjuteri, që do t’ia transmetojë këtë sinjal edhe gjyqtarit kryesor.
Teknologjia është 100% e sigurt dhe synon evitimin e “challenge” nga ana e lojtarëve, kur kanë dyshime për një top. Edhe lojtarët, përmes ekraneve të mëdhenj të vendosura në fushë, do të kenë mundësi të shohin lëvizjet e topit. Ky sistem i ri do të nxirrte “jashtë lojë” gjyqtarët anësore, që marrin vendime përmes syrit të tyre.