Bujar KURTAJ
Shkup, 7 maj – Ndeshjet e Ligës së parë të Maqedonisë vazhdojnë edhe këtë fundjavë ku në program do të jetë xhiroja e 32. Nëse gara për titull pothuajse ka marr fund, ku Vardari më veç ka filluar të mendojë për festën e titullit të kampionit, në pesë xhirot e fundit e gjithë vëmendja do të përqendrohet në luftën për mbijetesë dhe pozitat që qojnë në Liga Evropë. Me këtë rast veçohen dy përballje, njëra për mbijetesë ajo mes Shkupit dhe Pobedës dhe Pelisteri – Renova, ndeshje e cila pritet ndoshta të zgjidh dilemat se cila skuadër do të zen pozitën e katërt në tabelë. Mos të harrojmë edhe Sileksin, e cila me fitoren e fundit gjithashtu është futur në lojë për pozitën e katërt.
Stadiumi në Çairi do të jetë në qendër të vëmendjes pasi takohen dy ekipet që luftojnë për mbijetesë, respektivisht për ti ikur pozitës së tetë, e cila qon në balotazh për mbijetesë, Shkupi dhe Pobeda. Pas disfatës nga Renova, dhe fitores së papritur të Pobedës ndaj Shkëndijës, skuadra nga Prilepi ka rikthyer shpresat e saja, ndërsa diferenca mes tyre tani është vetëm katër pikë. Për djemtë e trajnerit Ardian Nuhiu do të jetë kjo një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme ku lojtarët e tij nuk guxojnë të mendojnë për ndonjë dështim eventual, sidomos për faktin se do të kenë mbrapa vetes armatën e madhe të tifozëve “Shvercerat Shkup”, të cilët për këtë ndeshje janë mobilizuar ndoshta si asnjëherë më parë. Me fitore eventuale, Shkupi do të ketë shtatë pikë më shum në katër xhiro para fundit të kampionatit. Ndryshe, për këtë ndeshje trajneri Ardian Nuhiu do të ketë më pak probleme në formimin e ekipit të parë, pasi në formacion kthehen kapiteni dhe portieri Suat Zenndeli, si dhe Besar Iseni që kishin nga pesë kartonë të verdhë, ndërsa pas lëndimeve janë rikthyer edhe Muharem Bajrami dhe Emmanuel Mbella. Mbetet deri ditën e ndeshjes të mësohet nëse do të jenë plotësisht të gatshëm edhe Sedat Berisha dhe Jasir Asani. Në anën tjetër, Bunjamin Shabani, autori i dy golave në dy përballjet e fundit të Shkupit me Shkëndijën dhe së fundmi me Renovën, thotë se ekipi i tij është në një nivel më lartë se Pobeda, dhe ai por edhe shokët e tij nuk e diskutojnë aspak fitoren.
“Të dielën do të kemi një ndeshje tepër të rëndësishme, por mendoj se ekipi ynë ka një nivel shumë më të lartë se Pobeda, kështu që nuk e diskutoj fitore. E kemi parasysh se do të jetë një duel shumë i vështirë, ku pikët janë me vlerë të madhe, por ekipet e mëdha tregohen në momente të vështira. Këtë gjysmësezon kemi bërë ndeshje të mëdha, ndërsa disfata e fundit nga Renova erdhi si shkak i shumë mungesave që kishim në ekip shkaku i lëndimeve dhe nuk është pasqyrë reale e forcës tonë. Do të japim edhe atomin e fundit që të marrim fitoren e radhës dhe të kthejmë diferencën ndaj Pobedës, duke i ikur sa më larg zonës së balotazhit”, ka thënë Shabani.
Në pyetjen se a pret që të vazhdojë serinë e golave edhe në këtë përballje, Shabani u përgjigj. “Besoni se shumë pak ka rëndësi për mua nëse shënoj unë apo jo, sigurisht se jam i lumtur kur loja ime bënë që të ndihmojë skuadrën, por tani më e rëndësishme është të fitojmë, të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe të bëjmë diferencën në pikë ndaj ekipeve që po na ndjekin”, deklaroi për faqen zyrtare të klubit, futbollisti kumanovar.
Skuadrën e Renovës e pret një përballje gjithashtu e rëndë por e rëndësishme. Në Manastir djemtë e trajnerit Qatip Osmani do të përballen me Pelisterin, në luftën për pozitën e katërt. Duke marr parasysh se deri në fund kanë mbetur edhe pesë xhiro (përfshi këtu edhe xhiron që do të zhvillohet të dielën), skuadra tetovare edhe me një barazim eventual do të ishte e kënaqur.
“Ndeshja ndoshta më e vështirë dhe më e rëndësishme për ne. Në Manastir do të shkojmë për të mos humbur për shkak se edhe barazimi na konvenon sepse atëherë do ishim më të mirë se Pelisteri në katër përballjet që i kemi zhvilluar. Shpresojmë që të kemi një referim korrekt. Nëse ajo ndodh, jam i bindur se nuk do të humbim këtë ndeshje”, deklaroi për gazetën KOHA, kapiteni i Renovës, Fisnik Nuhiu.
Skuadra tjetër tetovare Shkëndija në Tetovë do të pret Bregallnicën, ndërsa lideri aktual Vardari do të pret Makedonija Gj.P.
Të gjitha ndeshjet e javës së 32 do të luhen të dielën në ora 16.30.
Dyshet:
Shkëndija – Bregallnica
Vardari – Mkd.Gj.P.
Sileksi – Rabotniçki
Pelisteri – Renova
Shkupi – Pobeda