Shkup, 19 nëntor – Pesë javë pa fitore (duke mos e përfshi këtu fitoren 1:0 ndaj Shkëndijës në ndeshjen e mbetur të javës së tretë). Pesë ndeshje radhazi, ku janë regjistruar tre barazime dhe dy humbje. Një seri negative, me të cilën Shkupi nuk ishin përballur kështu në sezonin e kaluar, duke qenë në mesin e 4 ekipeve më të mira në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë. Bardhekaltërve nuk po ju ecën mirë dhe tani në dyshim është vënë edhe dalja në Evropë, por edhe mbijetesa, duke marr parasysh se epërsia ndaj pozitës së 9 që qon në Ligën e dytë, është vetëm pesë pikë. Djemtë e trajnerit Visar Ganiu edhe këtë fundjavë i pret një përballje e rëndë, pasi do të jenë mysafir i Pelisterit, skuadër kjo e cila këtë sezon po luan mjaft mirë dhe me meritë mban pozitën e tretë në tabelë. Në kampin bardheblu janë të vetëdijshëm për këtë seri negative, dhe ata shpresojnë se në Manastir të arrihet caku i dëshiruar, ndërsa edhe rezultati i barabartë do tu ishte i mirëseardhur, duke marr parasysh kundërshtarin, i cili sipas tyre këtë sezon po luan shumë mirë. “Pelisteri është një kundërshtar i fortë që ka dëshmuar këtë sezon se është prej katër ekipeve më të mirë në Ligë. Por, ne do të mundohemi që në këtë ndeshje të humb me një seriozitet të madh dhe më të vendosur për të arritur fitore, por do të ishim të kënaqur edhe me një barazim”, deklaroi për KOHA, Florent Osmani. Ndryshe, Pelisteri – Shkupi luhet nesër në ora 13:00. (B.K.)