Buenos Aires dhe thuajse gjithë Argjentina u ndalën mbrëmjen e së dielës, për të ndjekur ndeshjen më të madhe në vend dhe ndër më të rëndësishmet në botë, derbin mes Boca Juniors e River Plate, El Superclasico që si gjithmonë ofron spektakël në tribuna dhe betejë pa kompromis në fushë.
Boca e niste ndeshjen duke qenë e katërta në renditje, me 10 pikë në 5 ndeshje, 3 pikë më shumë se River, në një sezon që mund të jetë i paharrueshëm për secilën palë, sepse janë në çerekfinalet e Copa Libertadores dhe gjithashtu janë ndër pretendentet kryesore për titull në Argjentinë.
Në fund triumfoi River, që përmbysi parashikimet, duke marrë një fitore të shkëlqyer 2-0 në La Bombonera, ndaj një rivali që është përforcuar jashtëzakonisht në verë.
Nicolás Martínez e Ignacio Scocco shënuan në secilën pjesë loje dhe trajneri Marcelo Gallardo realizoi një kryevepër, sepse River nuk shfaqi asnjë ndjenjë inferioriteti apo frike dhe e sfidoi Boca-n taktikisht e fizikisht.
Në fillim të pjesës së dytë Boca pretendoi dy herë për 11-metërsh, ndërsa e shtoi presionin në mesfushën kundërshtare, por River nuk gaboi asgjë dhe 20 minuta para fundit Scocco mbylli gjithçka me një supergol që vulosi humbjen e parë shtëpiake për Boca-n që prej 7 prillit.
https://www.youtube.com/watch?v=c6GTpyVvk1M