Fisnik PASHOLLI
Shkup, 31 mars – Industria e ndërtimit pritet sërish të jetë ndër mbështetësit kryesor të rritjes ekonomike në Maqedoni. Me stabilizimin e situatës politike , paralajmërohet inkuadrim i madh i sektorit vendor të ndërtimit në projektet e vlefshme 270 milionë euro për rikonstruimin e më shumë se 800 kilometra të akseve rrugore në shtet, shkruan gazeta KOHA. Njëherësh, biznesi vendor i ndërtimit, pritet të marrë kulaçin e tij edhe në projektet e tjera infrastrukturore kombëtare si dhe të investojë më tej në ndërtimin e hapësirave të reja banesore dhe afariste.
KËRKOHET THJESHTËSIMI I PROCEDURAVE
Për realizimin e planeve të tyre afariste, një pjesë e ndërtimtarëve kërkojmë thjeshtësimin maksimal të procedurave të ndryshme të ligjeve që kanë të bëjnë me ndërtim, vonesat të shkurtohen gjatë dhënies së lejeve të ndryshme, pagesa e komunaleve si akt i fundit dhe jo i parë në procesin e ndërtimit me qëllim të mos komplikohet ndërtimi i objekteve të ndryshme , zgjidhjen e problemit me mungesën e kuadrit të kualifikuar në ndërtimtari , zgjatjen deri në vitit 2023 të zgjidhjes ligjore për pagesën e pesë për qind të tatimit për blerjen e banesës së parë etj.
“Presim që ndërtimi i infrastrukturës, i paralajmëruar nga ana e shtetit, të lëviz sektorin e ndërtimtarisë, megjithatë në ndërkohë duhet të zgjidhen disa probleme si thjeshtësimi maksimal i procedurave të ndryshme të ligjit për ndërtim, planifikim urban, truallin ndërtimor , si dhe kërkojmë që më shpejt dhe në mënyrë më efikase të lëshohen lejet elektronike. Gjithashtu kërkojmë që të zgjatet deri më vitin 2023 zgjidhja ligjore që parashikon pagesën e pesë për qind të tatimit për shitblerjen e parë të banesës që aktualisht vlen deri në 31 dhjetor të vitit 2018. Kemi premtime se kjo çështje do të zgjidhet pozitivisht, për shkak se në të kundërtën mund të presim shtrenjtimin eventual të çmimit të banesave”, thotë Ivica Jaqimovski kryetar i Odës së ndërtimtarisë pranë Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë
Sipas tij, kompanitë vendore të ndërtimit kanë mundësi dhe kapacitete të marrin pjesë në ofensivën pranverore ndërtimore të paralajmëruar të qeverisë , mirëpo nevojitet që shteti të përcaktojë edhe një regjim konkret të punës në këtë drejtim.
“ Me qëllim që kompanitë vendore të mund të marrin sa më shumë pjesë në projektet e ndryshme infrastrukturore të shtetit nevojitet që të kemi kontinuitet dhe dinamikë të caktuar në realizimin e projekteve të ndryshme. Pra , kjo nënkupton mjete të siguruara të investimit, mënyrën e pagesës, pagesën e rregullt, marrja parasysh se ndërtimi ndikohet edhe nga fatkeqësi të ndryshme që nuk mund të parashikohen etj “, thekson Jaqimovski.
MBËSHTETJE SHTETËRORE PËR OBJEKTE INFRASTRUKTURORE
Në ndërkohë, ndërtimtarët presin edhe zgjidhjen e problemeve të tjera që vonojnë ndërtimet si dhe një fokus më të madh të shtetit në krijimin e kuadrit të nevojshëm të punës në ndërtimtari.
“Pagesa e komunaleve në fillim dhe jo në fund të procesit të ndërtimit shkakton probleme të shumta, për shkak se me zgjidhjen e tanishme ligjore, ankesat e ndryshme vonojnë një apo edhe dy vite në ndërtimin e një objekti, ndërsa i lidhin edhe të hollat e investitorit që pret të përfundojë objektin e filluar. Pra, nevojitet që të kthehet zgjidhja e mëparshme ligjore ku akti i pagesës së komunaleve do të jetë i fundit dhe jo i pari gjatë marrjes së lejes për ndërtim”, thotë anëtari i kryesisë së Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Mendi Qyra .
Sipas tij, nevojitet që Ministria e Arsimit të zgjerojë paralelet dhe përfshirjen e nxënësve në tërë Maqedoninë në sistemin e shkollimit profesional që të mund të fitojmë nesër punëtorë të kualifikuar të ndërtimit të profileve të ndryshme si saldues, elektricist Kjo gradualisht do të zgjidh edhe problemin me mungesën e punëtorëve në ndërtimtari shton Qyra.
Në ndërkohë, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thonë se do të angazhohen maksimalisht për të zgjidhur hallet dhe problemet e ndryshme që mundojnë ndërtimtarët në punën e tyre të përditshme. Sipas ministrit të transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski, synohet që të zgjidhen kërkesat e odave ekonomike, institucioneve të ndryshme, bashkësisë së njësive të vetëqeverisjes lokale, në favor të lëvizje pozitive të procedurave të ndryshme, dokumentacionit, akteve ligjore etj në fushën e ndërtimtarisë.
Nga ekzekutivi i ri kanë paralajmëruar edhe mbështetje të madhe për biznesin vendor të ndërtimit në projektet e ndryshme infrastrukturore që financohen me të holla publike.
“Kompanitë vendore ndërtimore kanë të drejtë të marrin pjesë në të gjitha tenderët e ndërtimit që i shpall shteti, ndërsa si nënkontraktorë janë të angazhuar edhe në shumicën e punimeve ndërtimore në shtet. Ne si qeveri angazhohemi që të gjitha tenderët të jenë transparent me qëllim që kompanitë vendore të ndërtimit të jenë maksimalisht të inkuadruara në projektet e ndryshme infrastrukturore”, thotë Sugarevski.
NDËRTIMTARIA KA RRITJE TË PJESËMARRJES NË PBB
Ndryshe, sektori i ndërtimtarisë në vitet e tjera ishte ndër degët kryesore ekonomike dhe lëvizës i rritjes ekonomike në shtet. Ndërtimtaria në vitet e kaluara ka treguar rritje me përjashtim të vitit 2017 kur shënoi ngecje si rrjedhojë e krizës politike . Në tetë muajt e parë të vitit të kaluar, ky sektor shënoi rënie prej 30 për qind si rrjedhojë e uljes së aktiviteteve në ndërtimin e autostradave për shkak të problemeve teknike , zgjatjes së dorëzimit të pushtetit , uljes së furnizimeve publike në ndërtimtari etj.
Statistika tregon se ndërtimtaria ka rritje të pjesëmarrjes në Prodhimin e Brendshëm Bruto prej 4.9 për qind në 2008 në 6.4 për qind në 2014-ën. Zhvillimin e madh të ndërtimtarisë në Maqedoni e tregon edhe rritja e firmave në këtë sektor prej 317 në 1990 në 4349 deri më vitin 2015 si dhe rritja e vlerës së punëve të kryera prej 11.642 milionë denarë në 2010-ën në 28.206 milion denarë në 2015-ën. Shteti gjithashtu ka mbështetur ndërtimtarinë me uljen e TVSH-së prej 18 në 5 për qind për shitblerjen e parë të banesës, investimet e mëdha në projektet infrastrukturore dhe më shumë projekte si “bli shtëpi, bli banesë” e ndonjë tjetër. (koha.mk)