Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, tha se problemi i ndërtimeve pa leje, për fat të keq është prezent, ndërsa informoi se ka patur takime me përfaqësues të institucioneve kompetente siç janë policia, prokuroria dhe inspektorati për ndërtim me qëllim që aktivitetet për parandalimin e ndërtimeve pa leje të merren njëkohësisht nga të gjitha institucionet përgjegjëse
Vjollca SADIKU
Dibër, 20 tetor – Problemi i ndërtimeve pa leje në Komunën e Dibrës ka shkaktuar debate të nxehta në seancën e Këshillit të Komunës. Sidomos problemi më i theksuar paraqitet në bregun e Liqenit të Dibrës, ku edhe pse nuk ka plan urbanistik, ndërtimet ilegale janë të shumta. Tensionet në debatin e këshilltarëve u rritën sidomos pas informatës që një pjesë e ndërtimeve tani më janë legalizuar. Me kërkesë të këshilltarëve opozitarë në Këshill, raportoi inspektorja e ndërtimit, Hana Alizoti, e cila theksoi se katërmbëdhjetë objekte tani kanë leje, kurse trembëdhjetë të tjera të ndërtuara deri në këtë moment janë pa leje ndërtimi. Disa pronarë të objekteve ilegale janë paditur tashmë, kurse të tjerë kanë vendime të ndërpresin punën në ndërtimin e objekteve. Alizoti theksoi se për të gjithë objektet e ndërtuara në këtë pjesë të komunës, janë bërë raportet e nevojshme nga ana e inspektorit, por që sipas saj, vendimet për legalizim nuk është kompetencë e Inspektoratit, por kompetencë e Njësisë për urbanizëm. Këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët, Mirela Korumi dhe Ilirian Fetahu kërkuan përgjigje në lidhje me pyetjet që kanë të bëjnë me mënyrën e legalizimit të objekteve të egra.
“Si është e mundur që ndokush të marrë leje për ndërtim e të tjerët jo”, theksoi Fetahu, i cili shtoi se nëpër Dibër përflitet se ata që ndërtojnë pa siguruar dokumentet e nevojshme, kanë përkrahjen e zyrtarëve që udhëheqin Dibrën. Mirela Korumi ndërkohë potencoi se situata me ndërtimet e egra në bregun e Liqenit është shndërruar tashmë në situatë kaotike. “Kërkojmë të ndërmerren të gjitha masat që definitivisht të ndërpritet ky sistem i ndërtimit të objekteve të egra”, tha ajo. Po ashtu, në debatin në të cilën u kyçën shumë këshilltarë të shumicës dhe opozitës, u tha se përveç në bregun e liqenit, ndërtime të egra ka edhe në disa pjesë të qytetit gjë që shëmton qytetin dhe prish imazhin të Dibrës. Pothuajse të gjithë këshilltarët mbështetën masat institucionale kundër dukurisë së ndërtimeve pa leje, sidomos në bregun e Liqenit të Dibrës.
Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, tha se problemi i ndërtimeve pa leje, për fat të keq është prezent. Ai informoi se ka patur takime me përfaqësues të institucioneve kompetente siç janë policia, prokuroria dhe inspektorati për ndërtim me qëllim që aktivitetet për parandalimin e ndërtimeve pa leje të merren njëkohësisht nga të gjitha institucionet përgjegjëse. “Pushteti vendor nëpërmjet inspektorit të ndërtimit ka ndërmarr të gjitha aktivitete që janë në kompetencë të tij. Por, nevojitet një angazhim dhe aksion i të gjitha institucioneve meqë aktualisht disa objekte kanë marrë leje e disa kanë vendime për ndalimin e ndërtimit, por ka edhe padi penale nga prokuroria për disa nga ndërtuesit”, tha Duka.
Ndërtimet pa leje në bregun e Liqenit të Dibrës kanë shkaktuar revoltë edhe tek disa kompani, por edhe tek pronarët e tokave. Në informatën zyrtare që u dha në seancë të Këshillit, kompania ELEM ka kërkuar nga institucionet kompetente që të ndërmerren aktivitete kundër dibranëve, të cilët kanë uzurpuar tokat në pronësi të ELEM-it. Po ashtu ka raste kur është uzurpuar edhe toka shtetërore, por edhe toka private. Nëse nuk ndërmerren masa konkrete dhe ligjore, atëherë situata rreth ndërtimeve pa leje në bregun e liqenit do të përkeqësohet. Në pritje të aprovimit të planit urbanistik për këtë pjesë të komunës, siç u tha në mbledhje, vepron Ligji i xhunglës. (koha.mk)