Prishtinë, 30 korrik – Regjisori dhe profesori i njohur i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Bekim Lumi, që prej dy vitesh po përballej me një sëmundje të rëndë ka ndërruar sot jetë.
Lumi pavarësisht se ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, para një muaji hodhi në skenë shfaqjen e tij, fundit “Arturo Ui” dhe erdhi për nder të 20-vjetorit të krijimtarisë së tij dhe 120- vjetorit të lindjes së autorit të shfaqjes, Bertolt Breht.
Lumi, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, nuk ishte i pranishëm në premierën e kësaj shfaqjeje.
Ai në vitin 2016 është nderuar si regjisori më i mirë i vitit.
Ndarja e çmimit vjetor më të mirë iu nda Teatrit profesionist nga Prizreni për shfaqjen “Shërbëtori i dy zotërinjve, çmimi vjetor për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar për vitin 2015 i ndahet Shtëpisë Teatrore Filmike “Art”, çmimi vjetor për regjinë më të mirë për vitin 2015 i ndahet Bekim Lumit për shfaqjen “Xhon Kejxhis Hamlet”.
Me rastin e vdekjes së regjisorit Lumi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur ngushëllime për familjen e tij.
“I dhimbshëm lajmi për vdekjen e parakohshme të mikut tim, Bekim Lumi. Si artist e si regjisor, Bekim Lumi kontribuoi shumë për artin, teatrin, kulturën dhe për edukimin e artistëve të rinj. Ngushëllime familjes Lumi dhe të gjithë artistëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij”, ka shkruar Thaçi në Fejsbuk.
Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka ngushëlluar familjen e regjisorit, Lumi, i cili tha se vdekja e hershme e regjisorit është humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe bashkëpunëtoret e tij, por është humbje e madhe edhe për artin Universitetin e Prishtinës dhe shtetin në përgjithësi.