Ka ndërruar jetë i riu shqiptar në Francë, Florenc Beqiraj i cili prej 1 jave ishte shtruar në një spital në gjendje kome. Autoritetet franceze thane se i riu nuk kishte asnje mundësi për të jetuar, pasi klinikisht ai ishte i vdekur dhe mbahej në jetë falë aparaturave. Pasditen e sotme mjeket hoqen aparaturat qe e mbanin te riun ne jete. Florenc Beqiraj, i riu shkodran që dyshohet se u masakrua në një burg të Marsejës. Beqiraj ishte në Francë prej dy vitesh e po përpiqej të përfitonte azilin. Ai ishte ndaluar nga policia dhe për mungesë dokumentacioni përfundoi në burg. Pikërisht gjatë qëndrimit prapa hekurave ka ndodhur dhe incidenti që e çoi 23-vjeçarin në fund të jetës.
Ai u gjet i masakruar, me njolla në trup dhe një shenjë teli në fyt, duke përfunduar në gjendje të rëndë. Zërat që thonë se i riu ka tentuar vetëvrasjen nuk pranohen nga familja. Të tjerë mendojnë se Florenci është masakruar në burg, ose nga policia, ose nga të dënuarit e tjerë. E motra e tij që jeton prej disa vitesh në Mal të Zi, tha se i vëllai e ka marrë në telefon për t’i thënë se është ndaluar për shkak të mungesës së dokumentave dhe se në burg rrethohej nga njerëz të rrezikshëm.
Sipas të motrës, askush nuk i ka dhënë sqarime për ngjarjen, ndërsa zyrtarisht nga ambasada shqiptare i është thënë se i riu është vetëvarur me litar. Vetë Ministria e Jashtme thotë se nuk ka ende një version zyrtar hetimor nga autoritetet franceze dhe shton se ambasada jonë në Paris është në kontakt të vazhdueshëm me palën franceze për rastin në fjalë.