Senatori John McCain, i cili shërbeu gjashtë mandate radhazi në Senatin amerikan dhe kandidoi dy herë për president vdiq të shtunën në moshën 81 vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin në tru.
McCain u burgos dhe u torturua pasi u kap rob në Vietnamin e Veriut kur ishte pilot i marinës amerikane.
Ai përfaqësoi shtetin e Arizonës në Senat dhe u bë i njohur si një luftëtar i së drejtës, pa marrë parasysh se cilin krah politik përfaqësonte ajo.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 ai u përball me kandidatin demokrat Barak Obama dhe humbi. Megjithatë ai vazhdoi të shërbejë në senatin amerikan.
Zoti McCain tregoi mjaft interesim për çështjet e Ballkanit dhe e ka vizituar disa herë rajonin.
Muajt e fundit të jetës ai i kaloi larg syve të publikut në shtetin e Arizonës, duke pranuar vizita nga miqtë e shumtë dhe politikanët e afërt me të.
Në kujtimet e tij të botuara në muajin maj, McCain shkruante se i vinte keq që po ndahej nga bota, por nuk kishte ankesa.
“Krijova një vend të vogël për veten në rrëfimin e Amerikës dhe në historinë e kohëve të mia”, shkruante ai.
Muajt e fundit, ai ka qenë një kritik i ashpër i Presidentit Trump për çështje të ndryshme. Ai thoshte se e shihte Presidentin Trump dhe ideologjinë e tij Amerika e Para si një largim nga vlerat dhe tradita e udhëheqjes globale që ai mendonte se mishërojnë Shtetet e Bashkuara.