Tetovë, 13 shkurt – Në orët e mesditës të ditës së hënë, në Spitalin e Prishtinës, në moshën 72 vjeçare ka ndërruar jetë gazetari Faik Mustafa. Faik Mustafa u lind më 19 maj të vitit 1945 në Tetovë, ku kreu shkollën fillore, ndërsa të mesme në Gjimnazin e Tetovës, të cilën e kreu më 1964. Studioi në Beograd në Fakultetin Filologjik-Grupi i Albanologjisë. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, detyrohet që një vit të punojë, një vit të studiojë. Ai punoi si mësues në Grupçin, në Shipkovicë, në Sellcë në vitin 1968/69, ku pas tre muajsh si organizator i demonstratave do të burgoset dhe do të dënohet me pesë vjet e gjysmë vite heqje lirie. Pas lirimit nga burgu, do të vazhdojë studimet në Prishtinë dhe do të diplomojë në vitin 1975. Gjatë kësaj kohe, një vit ka punuar si mësimdhënës në Gjimnazin e Vitisë, prej nga pa e përfunduar vitin, do të largojnë në emër të letrës së famshme të Titos. Si student në Prishtinë iu mundësua të punojë si gazetar në Botën e Re, prej nga do të largohet me tërë stafin e redaksisë pas tre vitesh. Pas kësaj, do të punësohet në të përditshmen Rilindja, prej nga si ish i dënuar në mungesë të cilësive morale dhe politike s’do ta lejojnë të vazhdojë të punojë. Me ndihmën e shokëve punësohet në gazetën “Kosova” të Obiliqit. Më pas ai ka punuar edhe në gazetën e delegatëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës. Në vitin 1990 ndër të parët largohet nga puna si irredentist. Nga viti 1994 deri në vitin 1998 punoi si korrespodent i Zërit të Amerikës nga Maqedonia. Nga viti 1998 -2002, ka qenë kryeredaktor i të përditshmes “Flaka e Vëllazërimit”. Në vitin 2006-2008 punoi edhe si drejtori i Qendrës për kulturë në Tetovë. Me shkrime ka filluar të merret shumë herët dhe ka të botuara vjersha për fëmijë dhe të rritur, pjesë teatrale, komedi. A kohëve të fundit ka shkruar disa libra me epigram ku ironizonte situatën politike në vend. Varrimi i të ndjerit bëhet nesër (e martën) në varrezat e Tetovës.