Tiranë, 26 shkurt – Në moshën 99-vjeçare sot pasdite në shtëpinë e saj në zonën e Laprakës në Tiranë ndërroi jetë Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e diktatorit Enver Hoxha.
Informacionin e konfirmoi djali i saj Ilir Hoxha, i cili shtoi se varrimi do të jetë nesër në Tiranë.
Nexhmije Hoxha lindi më 8 shkurt të vitit 1921, në Manastir, ndërsa prindërit e saj ishin me origjinë nga Dibra, Maqedonia e Veriut. Në vitin 1928, familja e saj u shpërngul në Tiranë. Shkollën e mesme ajo e kreu në Institutin Femëror Pedagogjik në Tiranë. Pas Luftës së Dytë Botërore i vazhdoi me korrespodencë studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi.
Ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, 22-23 nëntor të vitit 1941. Gjatë luftës mori pjesë si delegate në të gjitha konferencat kombëtare si atë të Pezës, Labinotit dhe Përmetit. Pas çlirimit të vendit, ajo kishte kryer funksione të larta partie dhe shoqërore. Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror.
Është vlerësuar me 13 dekorata, si dhe Urdhrin “Hero i Punës Socialiste”.Në janar të vitit 1992 u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat u bënë 11 kur ajo apeloi në gradën e dytë të gjykimit.
E ndjera u martua me Enver Hoxhën në 1 janar të vitit 1945, me të cilin pati tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.(koha.mk)