Berlin, 26 tetor – Nënkryetari i Bundestagut gjerman, Tomas Operman ndërroi jetë papritur, pasi që mbrëmë iu përkeqësua gjendja gjatë një xhirimi për televizionin ZDF.
Politikanit 66-vjeçar nga radhët e Partisë socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) iu përkeqësua gjendja dhe humbi vetëdijen gjatë xhirimit për televizionin ZDF, dhe urgjentisht u dërgua në spital.
Ministri gjerman i Punës, Hubert Hajl përmes Tuiterit shprehi ngushëllime për vdekjen e bashkëpartiakut të tij.
Përndryshe, Operman në fund të gushtit kumtoi se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Pas tre dekadave si deputet në kuvendin krahinor të Saksonisë së Ulët dhe në Bundestag, tani është koha më e mirë të merrem me diçka tjetër dhe t’u kthehem projekteve të reja”, deklaroi politikani me atë rast.