Shkup, 13 shkurt – Ndërrimi i dokumenteve rrugore dhe targat e automjeteve me emrin e ri të shtetit do të jenë obligim i qytetarëve. Targat e reja pritet të jepen kah mesi i muajit maj, ndërsa dokumentet rrugore kah fundi i vitit.
Zëdhënësi qeveritar Mile Boshnjakovski në konferencën e sotme për shtyp në qendrën për media ku ishte vendosur emri i ri i shtetit tha se deri në dhënien e targave të reja do të shfrytëzohen etiketat me shenjën NMK të cilat do t’u jepen qytetarëve në vendkalimet kufitare gjatë daljes nga shteti.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme menjëherë duhet ta fillojë procedurën për furnizim të dokumenteve të reja rrugore ashtu që dokumentet e para me emrin e ri pritet të jepen kah fundi i vitit.
“Dokumentet e vjetra mbesin në vlerë deri në skadimin e afatit të konfirmuar me Marrëveshjen e Prespës, ndërsa ato janë pesë vjet. Kjo do të thotë se çdo qytetar në suaza të procedurës së rregullt kur ta ndërrojë pasaportën, do ta marrë pasaportën e re dhe do ta paguajë çmimin i cili është i rregullt për ndërrim të dokumenteve rrugore, sqaroi Boshnjakovski.
Emrat e qyteteve si Makedonska Kamenica dhe Makedonski Brod, siç tha Boshnjakovski, do të mbesin të njëjta, përderisa institucionet të cilat në emrin e tyre kanë maqedonase, në afat prej katër muajve duhet ta ndryshojnë emrin.
Në vendkalimet kufitare emri i ri do të shënohet në gjuhën maqedonase, angleze dhe në gjuhën të cilën e flasin 20 për qind e qytetarëve në atë vetëqeverisje lokale.
Tani për tani nuk dihet saktë se kur do të vendoset emri i ri në ndërtesën e Qeverisë, por ajo, siç thotë Boshnjakovski, duhet të bëhet në afat prej katër muajve, periudhë në të cilën duhet të ndryshohen edhe tabelat e institucioneve në nivel lokal dhe qendror. (koha.mk)