Shkup, 11 dhjetor – Me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë janë ndërprerë disa projekte të ELEM-it, si: Oborri i Parajsës në Komunën e Aerodromit, Garazhii në kate në Ohër, Qendra e Kongreseve në Ohër, Qendra për Skijim në Vodno dhe rrugica për Biçikleta në Kozjak. Përveç këtyre projekteve janë ndërprerë edhe disa projekte tjera nga fushat e turizmit. Megjithatë nuk precizohet saktësisht nëse me të njëjtin vendim është përfshirë edhe ndërprerja e punimeve rreth ndërtimit të teleferikut në Kodrën e Diellit. E kontaktuar nga Alsat, zëdhënësja e ELEM-it, Jasminka Anevska, ka theksuar se ndërtimet rreth teleferikut janë stopuar më vendim të Ministrisë së Ekologjisë.
Ndërtimi i teleferikut në Kodër të Diellit është ndaluar nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe planifikimit hapësinor, sepse, nuk janë siguruar dokumentet e nevojshme për këtë projekt…Jemi në konsultim e sipër me inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit dhe me Ministrinë për Transport për sigurimin e lejeve të nevojshme për ndërtim- thonë nga ELEM-i.
Nga ELEM nuk kanë komentuar as ofertën që javë më parë, iu bë nga ana e disa afaristëve të Kodrës së Diellit, të cilët ofruan ndihmë materiale për përfundimin e projektit në fjalë. Mbetën të heshtur edhe sa i përket dëmtimit të rrugicave të skijimit që janë shkatërruar gjatë realizimit të projektit të teleferikut, që filloi tre vite më parë, dhe i cili realizohet nga Leitner SPA nga Italia dhe konzorciumi DEKON nga Shkupi, me një kosto prej rreth 8 milion eurove. Ndërkohë që premtuan se së shpejti do të ketë riorganizim të të punësuarve në qendrën turistike të Kodrës së Diellit.
Sa i përket çështjes së riorganizimit të të punësuarve, në rrugë e kemi përgatitjen e sistematizimit të ri, i cili po bëhet pikërisht shkaku i kësaj shpërndarjeje jo të drejtë që ekzistonte mes punëtorëve të atjeshëm, ndërsa është zvarritur vite me radhë. Me sistematizimin e ri secili punëtor do ketë mundësinë e vendosjes në vendin e punës në pajtim me përgatitjen intelektuale që ka”, thuhet më tej në përgjigjen e ELEM-it.
Riorganizimi i të punësuarve në qendrën turistike të Kodrës së Diellit, vjen pas publikimit të lajmit në televizionin Alsat, për padrejtësitë që iu bëhen disa të punësuarve shqiptarë në këtë qendër turistike. (alsatm)