Përderisa për pushtetin, buxheti është zhvillimor dhe mbështet më shumë projekte në të mirën e qytetarëve, për opozitën ai është parazgjedhor, populist dhe social. Buxheti bazohet në rritjen e pritshme ekonomike prej 3.8 për qind të PBB-së
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 dhjetor – Pushteti në vitin 2020 parashikon të harxhojë një shumë rekord prej 3.9 miliardë euro, në një pjesë të madhe për paga, pensione dhe aspektin social. Pritet që Kuvendi i Maqedonisë t të miratojë buxhetin e vitit 2020 deri ditën e premten, kur edhe duhet të përfundojë debati pesëditor i deputetëve. Javën e kaluar qeveria kumtoi se ka pranuar 12 amendamente pas debateve për buxhetin në komisionet parlamentare. Përderisa për pozitën , buxheti është zhvillimor dhe mbështet më shumë projekte në të mirën e qytetarëve, për opozitën ai është parazgjedhor, populist dhe social. Në vitin e ardhshëm do të ndahen afër 500 milionë euro për pagat në administratë që paraqet një rritje prej afër 36 milionë euro në raport me vitin paraprak. Për mallra dhe shërbime do të harxhohen 338 milionë euro apo 24 milionë euro më shumë se në vitin 2019. Të ardhurat në buxhet janë planifikuar në 222 miliardë dhe 300 milion denarë, apo 3.6 miliardë euro që paraqet një rritje për 5.6 për qind në raport me vitin paraprak. Harxhimet janë planifikuar me 239 miliardë dhe 700 milionë denarë, apo tre miliardë 898 milionë euro. Njëherazi deficiti apo minusi në buxhet është parashikuar të jetë 2.3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Dallimi midis të ardhurave dhe harxhimeve pritet të mbulohet me hyrje borxh apo me shkurtimin e investimeve kapitale.
Për investimet kapitale janë parashikuar 383 milionë euro. Lidhur me të hyrat në buxhet pritet që nga tatimet të grumbullohen 2.1 miliardë euro, apo 12 3 milion euro më shumë se sivjet, ndërsa nga kontributet pritet të grumbullohen një miliardë e 90 milionë euro apo për 35 milionë euro më shumë. Parashikohet që në vitin 2020, shteti të hyjë në borxh tek bankat vendore në vlerë prej 175 milionë euro që së bashku me borxhin prej 200 milionë euro në obligacionet shtetërore, do të thotë se do të hyjmë në borxh në tregun vendor të kapitalit prej 375 milionë euro. Së bashku, me huazimin jashtë shtetit prej 121 milionë euro, do të hyjmë në borxh prej 496 milion euro. Mirëpo kur kemi parasysh edhe kthimin e borxheve të vjetra dhe të kamatave të viteve të kaluara dhe të qeverive të mëparshme , në fakt do të hyjmë në borxh prej afër një miliardë euro në vitin 2020. Nga Ministria e Financave, si propozuese e buxheti, thonë se në fokus të buxhetit është kapitali njerëzor, apo sistemi më i mirë shëndetësor, arsimor, dhe social si dhe përkrahja e madhe për rritjen e biznesit.
Nga ky dikaster thonë se po bëjnë përpjekje që të përmirësojnë indeksin e kapitalit njerëzor prej 0.51 për qind që e llogarit Banka Botërore e që në fakt nënkupton se çdo i ri që lind, jeton dhe edukon në vend ka kushte të realizojë vetëm gjysmën apo 53 për qind të potencialit të tij.Buxheti bazohet në rritjen e pritshme ekonomike prej 3.8 për qind të PBB-së që do të mbështetet në rritjen e konsumit privat, eksportin dhe investimet private. Prej një janarit të viti 2020, do të rriten pagat në arsim për dhjetë për qind , ndërsa në shëndetësi do të rriten pagat prej 10 deri 25 për qind. Edhe pensionet prej muajit janar të viti 2020 do të rriten prej 860 deri 900 denarë. Ministria e Financave, Nina Angellovska, thotë se buxheti për vitin e ardhshëm po sillet nën moton “investojmë në kapitalin njerëzor”, për shkak se ai është faktori më i rëndësishëm për zhvillimin e një shteti. “Në propozim buxhetin për vitin 2020 kemi ndarë mjete më të larta deri tani prej bile 154 miliardë denarë për funksionet e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.
Dëshirojmë që mjekët më të mirë dhe personeli mjekësor të jenë në shëndetësinë publike. Dëshirojmë gjenerata cilësore të ardhshme dhe e dimë se për këtë parakusht arsimi për çdo fëmijë. Dëshirojmë të sigurojmë kujdes për të gjithë gjeneratat ,nga më ë vegjlit deri më rriturit, dhe të mos kemi fëmijë jashtë sistemit për përkujdesje”, thotë Angellovska. Nga partia opozitare VMRO-DPMNE, thonë se buxheti është populist dhe parazgjedhor për shkak po rriten pagat dhe pensionet. Buxhetit i vitit 2020 është social dhe jo zhvillimor, thotë deputetja e VMRO, Liljana Kuzmanovska. “Ajo që ju e emëroni në buxhet se është investimi në kapitalin njerëzor, besoj se që në fillim është e gabuar për shkak se që në debat në Komision kam theksuar se të investohet në kapitalin njerëzor do të thotë arsim më të mirë dhe investim në shkencë, ndërsa ky buxhet nuk mund të jetë i tillë”, shton më tej Kuzmanovska. Ndryshe, sfidë në vitin e ardhshëm do të jetë rritja ekonomike prej afër 4 për qind në kushte të fushatës zgjedhore kur shumica e institucioneve do të ngrinë aktivitetet e tyre për disa muaj, ndërsa sektori privat do të jetë në pritje të formimit të ekzekutivit të ri.